E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në burg të arrestuarit për trafik pistoletash

Laçi e Stafuka kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke thënë se nuk kishin asnjë lidhje me pistoletat e kapura

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të organit të akuzës vendosi që dy të arrestuarit e pesë ditëve më parë për “trafik të pistoletave”, Afrim Stafuka dhe Kujtim Laçi, të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Kështu, paraditen e djeshme, dy të arrestuarit nga Fushë-Kruja u përballën për rreth dy orë me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë. Seanca në ngarkim të tyre u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa burime zyrtare pranë kësaj seance gjyqësore pohojnë se 44-vjeçari Kujtim Laçi nuk ka preferuar të japë shpjegime të hollësishme, por ka mohuar akuzën në ngarkim të tij, duke e vetëdeklaruar vetën të pafajshëm në këtë mes. Mbi të, veç akuzës së bashkëpunimit në trafik armësh, rëndon edhe akuza e mbajtjes së lëndëve narkotike. Kjo për faktin se pas kontrollit të kryer në banesën e tij pak minuat pas arrestimit u gjet një sasi narkotiku prej 200 gramësh, e dyshuar të jetë kokainë. Kurse i pandehuri Stafuka, 39-vjeç, mësohet se ka pranuar vetëm njërën nga armët, ndërsa pesë të tjerat pretendon se nuk janë të tij dhe se mund t’ia kishin futur në mjetin ku u arrestuan. Pas kësaj vetë të pandehurit dhe mbrojtja e tyre kërkuan vendosjen e masave më të lehta të sigurisë, duke pretenduar se prokuroria nuk kishte paraqitur prova në gjyqin paraprak, por vetëm dyshime. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë që dy të arrestuarit të qëndrojnë në qeli me masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Sipas pretendimeve të mbrojtjes, masa e sigurisë arrest në burg nuk justifikohej nga organi i akuzës dhe as nga vendimi i gjykatës, pasi në këtë rast sipas tyre, vepra penale e konsumuar nga dy të arrestuarit është ajo e armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›