Sherri për tokën, nis procedimi për familjen Elezi
DURRËS- Konflikti për pronësinë e një toke ka bërë që policia e Shijakut të nisë procedimin penal për gjashtë anëtarë të një familjeje në komunën Gjepalaj. Bëhet fjalë për familjen Elezi, e cila ka nisur një incident me përfaqësuesit e shtetit. Përfaqësues i kësaj komune është edhe ish- kryetari i komunës, i cili është person nën hetim për përvetësimin pa të drejtë të tokës për të cilën ka nisur edhe konflikti.
Burimet zyrtare të policisë lokale pohuan se konflikti është nisur fillimisht nga 38-vjeçarja Shkëndije Elezi dhe Vera Garofola. Dy femrat janë akuzuar nga një punonjës i komunës, i cili pretendon se është kanosur dhe goditur prej tyre për shkak të detyrës. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në afërsi të truallit ku një firmë ka filluar ndërtimin e një shkolle të re. Familja Elezi ka pretendime pronësie mbi tokën. Por konflikti nuk është mbyllur me kaq. Në ndihmë të femrave të fisit kanë mbërritur katër vëllezërit Elezi, ndërsa punonjësi i komunës ka thirrur policinë. “Hamza Elezi, 46 vjeç, Elez Elezi, 44 vjeç, Fatmir Elezi, 56 vjeç dhe Ylli Elezi, 33 vjeç, kanë kundërshtuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak të kryejnë detyrën e tyre në mbështetje të përfaqësuesve të Komunës Gjepalaj për lirimin e një sipërfaqe toke të zënë nga vëllezërit Elezi pasi Komuna Gjepalaj do të ndërtonte aty një shkollë 9-vjeçare”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Historia ka zënë fill disa muaj më parë, kur është marrë nën hetim Fatmir Elezi, ish- kryetar i Komunës së Gjepalajt për tre mandate resht.
Më 29 maj të këtij viti, policia e Durrësit nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Fatmir Elezit pasi akuzohet se ka fshehur, duke mos deklaruar në listat e regjistrimit të pasurive shtetërore, një sipërfaqe trualli prej 25.787 metra katrorë në Komunën Gjepalaj. Sipas policisë, në oborrin e shkollës, vëllezërit Elezi kanë hapur një aktivitet privat që në vitin 1996, por që nga ajo kohë aktiviteti i tyre nuk është licencuar dhe në këtë mënyrë i është shmangur detyrimeve tatimore për një periudhë prej 12 vitesh. Vetë kryetari i komunës është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe ka dhënë shpjegime në lidhje me shkakun që e ka shtyrë të mos deklarojë sipërfaqen e tokës dhe mënyrën se si ai e ka përvetësuar këtë sipërfaqe.