E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu refuzon prokurorinë, Jam në Amerikë

Ish- ministri i Mbrojtjes duhet të dëshmonte dje për Gërdecin por ka dërguar vetëm avokatin mbrojtës dhe justifikimin

Prokuroria: Ia dërguam fletëthirrjen një javë më parë. Do merret në pyetje në fillim të shtatorit

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti pa imunitet Fatmir Mediu “refuzon” paraqitjen në Prokurorinë e Përgjithshme për tu marrë në pyetje në lidhje me shpërthimin e 15 marsit në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec, ku si pasojë mbetën të vrarë 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Sipas burimeve zyrtare pranë grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme që po punon dhe heton për zbardhjen dhe identifikimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie, deputetit Mediu ka “refuzuar” paraqitjen për arsye personale. “Sot (dje) pritej që në orën 10:00 të paradites të paraqitej pranë Prokurorisë së Përgjithshme bashkë me avokatin e tij mbrojtës, personi nën hetim Fatmir Mediu. Por, në këtë orë pranë zyrave të drejtuesit të këtij hetimi, prokurorit Zamir Shtylla është paraqitur i vetëm mbrojtësi ligjor i deputetit Mediu, avokat Ardian Visha, duke depozituar një kërkesë për shtyrjen e marrjes në pyetje të klientit të tij, për arsye se ish-ministri ndodhet jashtë shtetit për arsye personale të tij”,- thuhet nga burimet pranë akuzës.

Gjithashtu, po këto burime konfirmuan se kërkesa për shtyrjen e marrjes në pyetje të personit nën hetim Fatmir Mediu është pranuar dhe është caktuar një datë tjetër për të ardhur në prokurori deputetit që të jap shpjegime në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. “Nga kërkesa për shtyrje e avokatit Visha mësuam se personi nën hetim Fatmir Mediu ndodhet në Amerikë për çështje private”,- thanë dje burimet e prokurorisë. Sipas tyre, grupi hetimor i kishte dërguar fletë-thirrjen deputetit Fatmir Mediu shtatë ditë më parë duke i kërkuar që të paraqitet në prokurori për tu marrë në pyetje në cilësinë e personit nën hetim. “Ka qenë dita e mërkurë e javës që kaloi kur postjeri i Prokurorisë së Përgjithshme ka zbritur tek dera e banesës së deputetit Fatmir Mediu, duke ia lënë poshtë derës fletë-thirrjen e firmosur nga kryeprokurori i çështjes së tragjedisë së Gërdecit, prokuror Zamir Shtylla”,- thuhet nga burimet pranë grupit hetimor. Mësohet po ashtu, se prokurori Shtylla dhe avokati Visha kanë caktuar një datë tjetër që mendohet se është në fillim të muajt shtator, ku pritet të merret në pyetje deputetit Mediu. Thirrja e këtij të fundit në prokurori nga hetuesit e tragjedisë së Gërdecit erdhi 11 javë pas heqjes së imunitetit me kërkesë të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama nga Kuvendi. Me heqjen e imunitetit parlamentar, organit të akuzës iu hap drita jeshile për marrjen në hetime dhe dërgimin e fletë-thirrjes në adresë të deputetit Mediu për pyetjen e tij në cilësinë e personit nën hetim.

Sipas kërkesës së kryeprokurores Ina Rama dërguar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, numëroheshinrreth 20 shkelje ligjor të kryera nga ish-ministri me veprimet dhe mos veprimet e tij karshi tragjedisë së Gërdecit ka konsumuar elementë të veprës penale të“shpërdorimit të detyrës” dhe “favorizimit të kompanisë private” duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 26 persona dhe mbi 300 janë plagosur. Sipas akuzës, Mediu ka favorizuar firmën “Albademil” me pronar të arrestuarin Mihal Delijorgji para, gjatë dhe pas marrjes së tenderit për çmontimin e municioneve dhe predhave luftarake, e cila për mos respektimin dhe shkeljen e rregullave të sigurisë në punë solli shpërthimin e rreth 7 tonëve municion që ndodheshin në ish-repartin e tankeve të kthyer në fabrikë çmontimi. Ndërkohë, grupi hetimor i prokurorisë ka arrestuar tashmë për këtë tragjedi administratorin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, kunatin e tij Dritan Minxholli dhe ish-drejtorin e MEICO-së Ylli Pinari, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat e “vrasjes masive” në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›