E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në detyrë kryetatimorin

Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e prokurorisë për pezullim nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Tatim-Taksave, Arben Sefgjini. Policia kontrollon tre herë në ditë masën e sigurisë arrest shtëpie të dhënë për ish-zyrtarin e SHIK-ut

TIRANË - Arben Sefgjini do të qëndrojë i mbyllur në shtëpi, por paralelisht do të ushtrojë edhe detyrën si kreu i Përgjithshëm i Tatim-Taksave. Ky është vendimi i dhënë nga Gjykata për Krime të Rënda, pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës për masa shtrënguese ndaj ish-kreut të SHIK-ut Tiranë dhe tre ish-vartësve të tij, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Burime pranë Gjykatës për Krime të Rënda bëjnë me dije, se në vendimin e marrë tri ditë më parë është rrëzuar kërkesa e prokurorisë për pezullimin nga detyra të Arben Sefgjinit. Vendimi për rrëzimin e kësaj kërkese sipas gjykatës, është arsyetuar në bazë të provave dhe fakteve të paraqitura nga udhëheqësi i grupit hetimor, Xhevat Hana. Gjykata vlerësoi se kjo masë ishte e pabazuar në të dhëna konkrete, që mund të krijonte një ide të saktë se për çfarë arsyesh Arben Sefgjini duhet të pezullohej nga detyra. “Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës, pasi prokuroria nuk solli prova të mjaftueshme për të bazuar një kërkesë të tillë”, - u shprehën burime të rezervuara pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Sipas tyre, kërkesa për pezullimin e kreut të Tatimeve nga detyra nuk mbështetej me të dhëna të mjaftueshme, që të sillnin fakte për lidhjen e detyrës së tij me akuzën, apo dhe me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “Nuk u provua me asnjë argument ligjor vlefshmëria e kësaj kërkese”, - sqarojnë të njëjtat burime. Pas vendimit të gjykatës reagoi dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili tha se Arben Sefgjini do të ushtrojë detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, pavarësisht masës së sigurisë “arrest shtëpie”. “Vendimi nuk është dhënë për pezullim detyre. Çështja është ende në shqyrtim”, - tha kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp. Ndërsa vetë Sefgjini nuk ka dhënë asnjë koment për çështjen në fjalë, por mësohet se ka nisur menjëherë zbatimin e vendimit të gjykatës. Një fakt i tillë konfirmohet jo vetëm nga fqinjë të familjes Sefgjini, të cilët tashmë prej ditësh nuk e kanë parë më të kalojë pragun e portës kryetatimorin, por edhe nga burime të policisë, të cilat kanë si detyrë kontrollin e zbatimit të masës së sigurisë. Sipas bluve, mësohet se përgjatë ditës së djeshme uniformat blu kanë bërë tre inspektime përreth banesës së Sefgjinit, në vendin e quajtur “Fusha e aviacionit”, dhe nga raportimi i tyre mësohet se gjithçka është në rregull. E njëjta situatë paraqitet edhe në banesën e ish-shefit të bazës së vëzhgimit, Avni Koldashi, i cili gjithashtu ka nisur zbatimin e masës së sigurisë që vendosi gjykata tri ditë më parë. Deri tani bën përjashtim nga kjo masë ish-inspektori i SHIK-ut Tiranë, Budion Meçe, i cili që prej një muaji ndodhet në gjendje kome në spitalin nr. 5 në kryeqytet, për shkak të një hemorragjie cerebrale. Ditën e diel, Gjykata për Krime të Rënda vendosi të mbyllë në shtëpi ish-kreun e SHIK-ut Tiranë, Arben Sefgjinin dhe dy ish-vartësit e tij, ndërsa shpalli në kërkim ish-shefin e Degës së SHIK-ut, Ilir Kumbaron. Katër ish-SHIK-asit, sipas Prokurorisë për Krime të Rrënda, akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës, ngjarje e ndodhur në muajt tetor-nëntor të vitit 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›