Dondollaku, rinis nga zeroja

Gjykata e Apelit u dha të drejtë pretendimeve të avokatit të Enver Dondollakut, për shkelje të kryera në gjykimin e parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda
TIRANË - Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i jep shpresë Enver Dondollakut, duke kthyer çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Vendimi u mor ditën e djeshme nga pesëshja e trupit gjykues të Apelit, pas kërkesës që avokati mbrojtës i Dondollakut, Vladimir Meçi, kishte depozituar pak muaj më parë. Burime nga kjo gjykatë bëjnë me dije, se një vendim i tillë është dhënë pas verifikimit të pretendimit të mbrojtjes për shkelje procedurale gjatë procesit të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Tashmë dosja pritet të mbërrijë në Shkallën e Parë, ku do të rinisë një tjetër proces gjyqësor ndaj Enver Dondollakut, i cilësuar si krahu i djathtë i Aldo Bares. Pak muaj më parë, Gjykata për Krime të Rënda dënoi Enver Dondollakun në mungesë, me burgim të përjetshëm dhe përfundimisht me 25 vjet heqje lirie, pasi i pandehuri nëpërmjet mbrojtësve të tij kërkoi gjykimin e shkurtuar, sepse aktualisht ai është duke vuajtur një dënim me 8 vjet heqje lirie në Itali. Në pretencën e tij, prokurori i çështjes, Përparim Kulluri, kërkoi për Dondollakun katër dënime me burgim të përjetshëm dhe 45 vite burg për një sërë akuzash të rënda. Sipas prokurorisë, Enver Dondollaku akuzohet si pjesëmarrës në ekzekutimin e pesë personave, plagosjen e dy të tjerëve, si dhe shkatërrime të pronave të bëra në emër të bandës në qytetin e Lushnjës. Sipas dosjes që disponon organi i akuzës, grupi u krijua në korrik të vitit 1997, kur Artur Daja ka vrarë Ramadan Shkurtin, vëllanë e Alfred Shkurtit (Aldo Bares). Menjëherë pas vrasjes së të vëllait, Aldo Bare ka krijuar edhe grupin e tij kriminal, kur realizoi vrasjen e Artur Dajës, më 21 tetor të vitit 1998, ku kokën e viktimës dyshohet se e ka shëtitur në qytetin e Lushnjës.