E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron kreun e Hipotekës Vlorë, ndalimi i paligjshëm

VLORË- Gjykata e Vlorës ka lënë të lirë sot kreun e Hipotekave të Vlorës, Edmond Banushaj, madje ka cilësuar se arrestimi i tij ishte i paligjshëm. I arrestuar me shumë bujë tre ditë më parë, kreu i Hipotekave ka dalë sot në gjyq për masën e arrestit. Gjyqtari Thoma Nika ka vendosur masën detyrim paraqitjeje për Edmond Banushaj. Ndërsa për juristin Viktor Kulaj, masa është arrest shtëpie. Po kështu edhe pronarin Oard Begaj, gjyqtari e la në arrest shtëpie.

Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër-arrestin për drejtorin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Edmond Banushaj. Sipas organit të akuzës, me firmën e tij pronat shtetërore ktheheshin në prona private. Mësohet të ketë pasur jo pak raste që persona të ndryshëm kanë marrë vërtetim pronësie nga Hipoteka megjithëse toka nuk ka qenë e tyre. Një gjë e tillë u ka dhënë atyre të drejtën edhe që të ndërtojnë mbi këto prona, duke shkelur edhe ligjet.

Gjatë këtij hetimi, të nisur nga muaji maj është arritur të zbuloheshin dokumentet false dhe abuzimet që ishin bërë me pronat nga drejtues të ndryshëm të Vlorës. Kështu në pranga kanë përfunduar Edmond Banushaj, kreu i Hipotekës, ish-juristi Viktor Kulaj, Oard Begaj, si dhe kryeplaku i fshatit Vuno, Leonard Bala. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "shpërdorim detyre", "falsifikim dokumentesh" dhe "vënie në përdorim e dokumenteve të falsifikuara".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›