Nishani shkarkon kreun e Hipotekës Tiranë për abuzim me detyrën
TIRANË - Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka shkarkuar sot nga detyra drejtoren e Hipotekës së Tiranës, Dorina Stringa. Kryeregjistruesja është gjetur në shkelje të rënda, si zvarritje të procesit të regjistrimit të pronave, mbivendosje të trojeve dhe falsifikim dokumentesh. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Drejtësisë e cila gjithashtu tha se "prej dy muajsh në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive Tiranë po ushtrohej një kontroll për veprimtarinë e viteve 2007-2008". Auditi ka konfirmuar dhjetëra raste abuzimesh dhe zvarritjesh ne procesin e regjistrimit te pronave. Shkarkimi u bë me propozim nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Bashkë me të janë shkarkuar edhe 10 punonjësit e tjerë të Hipotekës së Tiranës.