Gjykata më mohon statusin e dëshmorit, skam para të ushqej fëmijët
Njerëz në Udhëkryq
Sot ne do të publikojmë, dramën e një gruaje të ve, bashkëshorti i së cilës ka qenë punonjës policie dhe ka humbur jetën në detyrë ndërsa pas ka lënë dy fëmijë jetime dhe një grua të sëmurë. Historia e Lirie Alcanit e cila ka dy vite që sorollatet në gjykatë për të marrë statusin e dëshmorit për bashkëshortin e saj duket se nuk është marrë në konsideratë as nga Ministria e Brendshme por as nga ajo e Drejtësisë pas një sërë lutjesh e kërkesash që 48 vjeçarja ka dërguar në këto institucione. E gjendur në kushte të vështira ekonomike Liria bën apel për ndihmë për dy fëmijët e saj pasi ato pak para rreth 3 milion që shteti i ka dhënë pas vdekjes së bashkëshortit të saj që ka humbur jetën në një aksident gjatë një aksioni policor tashmë janë shpenzuar nëpër gjyqe. Lirie Alcani ka disa vite që kërkon të drejtën në gjyqësorin shqiptarin por ende sorollatet për statusin e dëshmorit që duhet të kishte përfituar pas aksidentit me pasojë vdekjen bashkëshorti i saj Fatmir Alcani. Liria bën apel për ndihmë nga institucionet shtetërore pasi ajo nuk ka asnjë të ardhur financiare në familje për të ushqyer e për të përballuar jetën me fëmijët e saj. Nëse keni dhe ju një histori të ngjashme me 48 vjeçaren atëherë rrëfejeni në gazetën tonë: Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserer@gmail.com. Ju mirëpresim!
Rrëfimi i bashkëshortes së policit të vrarë në detyrë
Gjykata më mohon statusin e
dëshmorit, skam para të ushqej fëmijët
Arta AGOLLI
Me lot në sy, e dëshpëruar dhe e pashpresë 48 vjeçarja Lirie Alcani, nënë e dy fëmijëve ka rreth 4 vite që sorollatet në gjyqësorin shqiptar për të drejtën e mohuar të bashkëshortit të saj që ka humbur jetën në detyrë. Fatmir Alcani një ish punonjës policie ka lënë pas dy fëmijë jetimë, por edhe pse në shtëpinë e tyre varfëria është ulur këmbëkryq sërish institucionet shtetërore duket se pas vdekjes ja mohojnë edhe të vetmin akses që mund të kishte familja Alcani, atë të përfitimit të statusit të dëshmorit. Aksidenti i ndodhur në vitin 1999, duket se pas dhimbjes pa fund ka lënë pas edhe skamjen me të cilën duhet të përballet e vetme 48 vjeçarja, një grua e vetmuar e papunë e që përpos të tjerave duhet të përballet edhe me problemet ligjore nga Gjykata që mohon të drejtën e bashkëshortit të saj. 48 vjeçarja bën apel përmes gazetës për ndihmë nga Ministria e Brendshme, dhe nga gjykata që ti japin zgjidhje problemit të saj, pasi ajo gjendet në një situatë ku nuk ka të ardhura financiare për të ushqyer fëmijët e saj.
Në çfarë kushtesh ka humbur jetën bashkëshorti juaj?
Bashkëshorti im Fatmir Alcanit, punonjës policie i rënë në krye të detyrës në vitin 1999 ka qenë në një aksion policia dhe duke shkuar në vendngjarje dhe gjatë rrugës makina e policisë me të cilën udhëtonte është aksidentuar me një kamionçinë dhe për pasojë dy nga kolegët e bashkëshortit tim janë aksidentuar rëndë ndërsa ai humbi jetën. As shpenzimin për varrim nuk kam marrë për burrin tim, dhe gjendem në kushte tepër të vështira financiare, shteti duket se na ka harruar mua dhe fëmijët e mi që duan të ushqehen të shkollohen e të jetojnë si gjithë të tjerët. Ajo që kam përfituar ka qenë vetëm një shpërblim i menjëhershëm, që ishte 3 milionë të vjetër për dy fëmijët e mi dhe për mua, por që ato para i shpenzova për varrimin e për dokumentet gjyqësore që duhet të paraqisja për kërkimin e të drejtës për ta shpallur burrin tim dëshmor të atdheut ashtu siç e parashikon ligji për çdo polic të rënë në detyrë. Këtë shumë kam marrë dhe asnjë gjë tjetër. Deri më sot nuk ndihem e vlerësuar, nuk ndihem e respektuar
Sa vite keni që merreni me gjyqin për statusin e dëshmorit?
Kam që prej 2 vitesh që rropatem e sorollatem nga Gjykata e Tiranës, dhe nga drejtësia shqiptare pasi i kam dërguar kërkesë edhe ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë për këtë problem, për përfitimin e merituar të statusit të dëshmorit për bashkëshortin tim, por askush nuk më ka ndihmuar. Nuk ndihem e vlerësuar, sepse kam trokitur në çdo derë për një ndihmë dhe asnjë gjë nuk më është dhënë. Unë personalisht jam pa punë. Gjyqi për statusin e dëshmorit shtyhet pambarimisht. Arsyeja e vetme që shtyhet gjyqi është sepse më thonë që bashkëshorti duhet që të jetë vrarë me automatik, apo raste të ngjashme si këto, motive që mendoj se janë banale, kur ai ishte në krye te detyrës dhe nuk ishte civil kur ka bërë aksidentin. Pra, me një fjalë nxjerrin pretekste të pabazuara askund. Në fakt bashkëshorti këtë aksion nuk e përfundoi dhe nuk e arriti qëllimin deri në fund por edhe pse humbi jetën në detyrë shteti këtë gjë nuk e vlerëson. I bëj një thirrje publike institucioneve shtetërore që të ma japin statusin e dëshmorit, për bashkëshortin tim? Fëmijët e mi, dy jetimë të harruar e meritojnë më së miri këtë shpërblim?
Si është shprehur gjykata e shkallës së parë në lidhje me kërkesën tuaj?
Në fillim refuzimin e ka bërë Ministria e Brendshme. Më pas ju drejtova gjykatës. Tani të shohim sesi do të vijojë kjo çështje. Kam një vit e gjysmë që po sorollatem nëpër gjykatë. Njëherë mungon gjyqtari, një herë mungon avokati im, një herë ministria dhe ky gjyq po zgjatet pambarimisht. Të gjitha lekët po i harxhoj duke udhëtuar në lidhje me këtë çështje. Jam duke u hequr bukën e fëmijëve nga goja për të nxjerrë një të drejtë. Unë para nuk kam të paguaj për gjyqin por edhe sikur të kisha nuk do ta baltosja kurrë të drejtën që bashkëshorti im ashtu si të gjithë policët e rënë në detyre në Shqipëri e përfiton me ligj. Kam dëgjuar shpesh në gjykatë që problemi im përfundon vetëm nëse do të më duhet të paguaj nën dorë për zgjidhjen e kësaj pune, por nuk do lë gur pa lëvizur për dy fëmijët e mi që po ju privoj edhe gjërat normale të jetës. Për mua si nënë ngelën fëmijët në rrugë. Personalisht jam e sëmurë që prej kohës që më vdiq bashkëshorti prej hipertensionit e marr mjekim të vazhdueshëm.
Çfarë apeli keni për institucionet shtetërore?
Për gjithçka më ka ndodhur kërkoj që të vlerësohem në emër të Fatmirit një polic i nderuar nga të gjithë, një punonjës policie me merita por që shteti mohon ti japë nderimin e fundit ashtu si të gjithë policët e tjerë të rënë në detyrë. Kërkoj shpërblimin që më takon me ligj si dhe ti jepet statusi bashkëshortit tim. Këtë apel ja çoj publikisht ministrit të Brendshëm dhe kërkoj gjithashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë që të na marrë në konsideratë ne gratë e Policëve të vrarë pasi kemi fëmijë për të rritur.