Mjekët, brenda qershorit marrin 2 paga shtesë
Fondi i Sigurimeve: Përfitojnë 9 mijë e 300 bluza të bardha të poliklinikave
Të gjithë mjekët dhe infermierët e shërbimit shëndetësor parësor do të shpërblehen me dy paga shtesë. Shpërblimi do të ndahet brenda muajit qershor (2013). Drejtoresha e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (ISKSH-së) Elvana Hana tha se janë 9300 mjekë dhe infermierë që përfitojnë nga ky bonus në bazë të realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë në punë. Për të gjashtin vit radhazi vijon të matet puna e mjekëve dhe të paguhet me deri 2 paga shtesë në vit, në bazë të shërbimit që mjekët e familjes u japin pacientëve. Duke pasur pacientin në fokus, nisur nga treguesit e mirë të performancës, punonjësit e Qendrave Shëndetësore do të përfitojnë deri në një pagë financim shtesë brenda muajit qershor, në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe bonusit. Falë punës së mjekëve të familjes, mbështetur në treguesit e 6 mujorit të parë të vitit 2013, janë 421 qendrat shëndetësore të kujdesit parësor që do të përfitojnë një deri në dy paga shtesë në bazë të numrit të vizitave të realizuara dhe treguesve të cilësisë që ne masim në këtë shërbim, tha dje Elvana Hana, drejtoreshë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Më konkretisht, numri i vizitave nga mjekët e familjes në shkallë republike për 6/mujorin realizohet rreth 95 % ose 3.4 % më shumë se 6/mujori i parë i vitit 2012, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 61% ose 3 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Hanës vëmendje të veçantë në matjen e punës së mjekëve të familjes, Fondi i Sigurimeve i kushton cilësisë së shërbimit. Të dhënat tregojnë se treguesit e cilësisë kanë pësuar rritje, çka tregon një evidentim më të hershëm të rasteve dhe mbajtje nën kontroll të sëmundshmërisë kronike. Për 6/mujorin e parë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth 357 milion lekë bonuse ose rreth 37 milion lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të Qendrave Shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, sanitarë, shoferë, ekonomistë, bën të ditur zyra e shtypit e Fondit të Sigurimeve. Fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në pjesën më të madhe të llogarive bankare të QSH të cilat do të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit qershor 2013.