E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, 2 mijë e 500 fëmijë janë dhunuar nga familjarët dhe mësuesit

Linja ALO 116 denoncon dhunën, ankesat më të shumta nga të gjitha qytetet

femije-dhune3_Afro 900 fëmijë shqiptarë përmes linjës së këshillimit Alo 116 kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre në familje, ndërsa 1553 të tjerë janë ankuar se keqtrajtohen në shkolla. Në raportin vjetor të publikuar dje, thuhet se fëmijët ndihen të frikësuar dhe të dhunuar jo vetëm në shkollë por edhe në familjet e tyre.
Raporti
Që prej hapjes së saj më 1 qershor 2009, ALO 116 i është përgjigjur 477.066 telefonatave dhe ka trajtuar 12.346 raste. Nga këto mund të veçojmë 867 raste ku fëmijët kanë raportuar forma të keqtrajtimit dhe dhunës në familje; 1553 raste kanë raportuar probleme në shkollë; 5083 raste kanë raportuar probleme në marrëdhëniet me njëri-tjetrin; 2156 raste të fëmijëve kanë folur për marrëdhëniet problematike në familjet e tyre dhe problemet e divorcit në familje; 141 raste kanë raportuar forma të shfrytëzimit për arsye përfitimi. Gjatë këtyre 4 viteve ALO 116 000 – Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur ka punuar mbi 11 çështje fëmijësh të zhdukur, ku 6 janë zgjidhur dhe 5 mbeten ende sot të hapura dhe pa një zgjidhje definitive, thuhet në raportin e publikuar dje nga Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë në Shqipëri (ALO 116), në bashkëpunim me CRCA, UNICEF dhe kompanitë celulare. Këto të dhëna statistikore i përkasin një periudhe kohore 4-vjeçare, që nga 2009-ta kur linja është çelur për herë të parë e deri më tani, në qershor të 2013-ës.
Qytetet më problematike
Sipas drejtuesve të linjës, ndryshe nga vitet e tjera, ALO 116, këtë vit prezantoi një raport të gjerë dhe të plotë mbi problemet kryesore të fëmijëve në Shqipëri, si: dhuna në familje, dhuna në shkolla, bullizmi, dhe fëmijët e humbur. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2012, ALO 116 i është përgjigjur 99.203 telefonatash ku qytetet me numrin më të lartë të telefonatave janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri dhe Korça. Gjithashtu gjatë 2012-ës, ALO 116 ka trajtuar: 1.971 telefonata për këshillim, ku 53% e tyre janë meshkuj dhe 47% janë femra; 705 raste të trajtuara mbi problematikën marrëdhënie mes njëri-tjetrit dhe 311 mbi marrëdhëniet afektive; marrëdhëniet familjare zënë 18% të rasteve të trajtuar, ku nënkategoria më e raportuar i përket marrëdhënieve prind-fëmijë me 215 raste të trajtuara dhe pas kësaj renditet marrëdhënia vëllazërore me 43 raste të trajtuara.
Dhuna në shkolla
Ndërkohë problemet në shkollë zënë 10% të rasteve të raportuara nga fëmijët, ku 58 raste i përkasin problemeve me mësuesit dhe 42 ankthit mbi performancën; 8 % e çështjeve të raportuara i përkasin kategorisë abuzim dhe dhunë me 160 raste, ku 53% janë raportuar nga telefonues të gjinisë femërore dhe 47% gjinisë mashkullore; 117 raste të trajtuara ose 73% e rasteve të kësaj kategorie kanë lidhje me abuzimin fizike, seksual dhe bulizmin; 7% e rasteve të trajtuara i përkasin kategorisë shëndet mendor/psikosocial me 144 raste të trajtuara. 63% janë raportuar nga fëmijë dhe të rinj të gjinisë femërore dhe 37% nga fëmijë dhe të rinj të gjinisë mashkullore.
Linja
Drejtues të ALO 116 shprehen se kjo linjë është një shërbim kombëtar që vë në plan të parë shqetësimet, ndjenjat, problematikat dhe ndryshimet që fëmijët e Shqipërisë përjetojnë dhe raportojnë. ALO 116  synon ti përgjigjet fëmijëve në momentet më të vështira të jetës së tyre, me anë të këshillimit për problemet dhe shqetësimet e tyre, informimit në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe referimit në shërbimet për të cilat fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë.

1971
telefonata për këshillim ka pritur gjatë vitit 2012 linja për fëmijë Alo 116, ku 53 % e tyre janë djem dhe 47 % janë vajza

705
fëmijë janë ankuar se ndihen të frikësuar për shkak të sherreve në shkolla me bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa 311 ankohen për probleme në marrëdhëniet afektive (dashurore)

867
fëmijë kanë telefonuar dhe janë ankuar për forma të keqtrajtimit dhe dhunës në familje; dhe 1553 raste kanë raportuar për probleme në shkollë; pra janë afro 2500 fëmijë që ankohen për dhunë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›