Gjykata në Beograd cakton 30 ditë paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së

Ish-pjesëtarit të UÇK-së shtetasit të Kosovës Avni Qenaj pa asnjë prove të vetme Gjykata në Beograd ia ka caktuar një muaj paraburgim, ka bërë të ditur sot avokati Xhevdet Smakiqi, raportojnë mediat e Kosovës.
Ai ka thënë se familja Qenaj në këto ditë festive kombëtare gjendet nën ankth dhe ka mbetur pa mbështetjen e shtetit që ka luftuar dhe po detyrohet vetë të luftojë përmes angazhimit privat me avokatët e saj të përmbushë të drejtat ligjore lirinë e lëvizjes edhe për familjarin e saj.
“Pafajësia e Avni Qenaj do të triumfojë por çfarë kuptimi ka ekzistenca e shtetit e Qeverisë së Kosovës kur dështon në secilën fushë. Liri për Avni Qenaj dhe gëzuar 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit që po mbahet i kidnapuar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, shkruan Smakiqi në një postim në Facebook.
Avni Qenaj nga Romaja e Prizrenit u arrestua para katër ditësh. Ai ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Dyshohet se ai u arrestua pasi i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.
Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha më 25 nëntor se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.