Gjykata pranon kërkesën e Sefgjinit, heq arrestin shtepiak
Arben Sefgjini, drejtori i Tatimeve i cili ndodhet në arrest shtëpie me Vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit, dhe mesohet se ajo pasi ka shqyrtuar kerkesen e tij ka vendosur te heq masen ndaj tij. Sipas burimeve nga Gjykata, Sefgjini tani do te gjykohet ne gjendje te lire. Po e njejta kerkese eshte pranuar nga gjykata e apelit edhe per te akuzuarin tjeter Avni Koldashi.
Ai ka qenë vet i pranishëm sot në Gjykatën e Apelit për të kërkuar shqyrtimin e masës ndaj tij. Ndërkohë avokati mbrojtës është shprehur se heqja e arrestit shtëpiak nuk do të thotë largim i Sefgjinit. “Nuk ka asnjë rrezik për këtë” – tha ai. Pas vendimit te Gjykates se Apelit, Sefgjini ka lene ambientet e gjykates pa dhene asnje koment lidhur me kete.
Sefgjini kërkon të shkojë në zyrë, prokuroria refuzon
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka refuzuar dy kërkesa të të pandehurit Arben Sefgjini, për të shkuar në zyrë dhe kryer funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan për "Shekullin" se avokati mbrojtës i Sefgjinit, Zef Nika, me kërkesë të të pandehurit ka depozituar në prokurori dy kërkesa për lejimin e ushtrimit të detyrës prej të akuzuarit për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës.
Në të dyja rastet, prokuroria i ka kërkuar Sefgjinit të zbatojë arrestin e shtëpisë, duke mos e lejuar atë të shkojë në zyrë.
"Pak ditë më parë, avokati mbrojtës i të pandehurit Arben Sefgjini depozitoi në kryesekretarinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda një kërkesë, ku i adresohet prokurorit Xhevat Hana, duke i kërkuar këtij të fundit lejimin e daljes nga shtëpia për të kryer punën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, në zyrën që ndodhet në rrugën e "Elbasanit".
Kjo kërkesë u refuzua nga prokurori, duke urdhëruar që i pandehuri Sefgjini të respektojë masën e sigurisë "arrest shtëpie",-thuhet nga prokuroria.
Ndërkohë, edhe pse kjo kërkesë u refuzua nga Prokuroria, i pandehuri Sefgjini ka riformuluar një kërkesë të dytë, duke depozituar sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lejen për të shkuar në punë një herë në javë.
Sipas burimeve nga prokuroria, të pandehurit Sefgjini i është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" dhe nuk mund të dalë nga shtëpia, edhe pse eprorët e tij preferuan ta mbanin në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Gjykata e Krimeve të Rënda nuk e ka fiksuar në vendim që i pandehuri Sefgjini nuk duhet të kontaktojë me persona të tjerë, përveç pjesëtarëve të afërt të familjes, ndaj edhe gjatë kësaj kohe, vartësit i kanë shkuar në shtëpi, për t'i marrë firmën.
Mësohet se i pandehuri Sefgjini, përveç izolimit të tij në shtëpi dhe takimeve që ai bën me persona të ndryshëm, kryen edhe procedurat e punës, duke e kthyer një nga dhomat e banimit në studio pune, pasi çdo ditë një nga të "besuarit" e tij sjell në shtëpinë ku ai banon letra për të firmosur.
Akuzat që rëndojnë mbi ish-punonjësit e SHIK
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë.
Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini.
Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.
Kërcënime
Rihapja e hetimeve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës si dhe dorëzimi i çështjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda duket se i ka krijuar mjaft andralla prokurorit të çështjes, por edhe denoncuesve të kësaj ngjarjeje.
Që prej ditës kur dosja është dorëzuar në gjykatë, të shumtë kanë qenë protagonistët e kësaj çështjeje, që janë kërcënuar me jetë. I pari që denoncoi kërcënimin ishte i pandehuri Avni Koldashi, i vetmi që pati pranuar se me urdhër të eprorëve të tij kishte shoqëruar Remzi Hoxhën në SHIK.
Edhe Ziso Kristopulli, njëri prej tre të rrëmbyerve nuk ka kaluar ditë të qeta këto kohë, duke marrë shumë kërcënime.
Sa për prokurorin e çështjes, Xhevat Hana, qetësia duket se përfundoi që prej ditës kur u përball me të pandehurit në gjykatë.
"Do të përgjigjeni personalisht për rihapjen e hetimeve",-i pohoi i akuzuari për këtë ngjarje, Arben Sefgjini, i cili vazhdon të drejtojë Tatimet, prej shtëpisë ku qëndron i mbyllur, 24 orë.
Larg këtyre kërcënimeve nuk ka mbetur edhe familja e Remzi Hoxhës, e cila ka kërkuar për 13 vjet nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, të rrëmbyer në muajin tetor të vitit 1995 nga punonjës të SHIK-ut.