Gjykata pritet të vendosë sot për mandatin e Bashës
Gjykata e Tiranës pritet të vendosë sot në orën 10:00 për mandatin e kandidatit të djathtë Lulzim Basha për Bashkinë e Tiranës.
Zoti Basha depozitoi të mërkurën në Gjykatë kërkesën për njohjen e vendimit të datë 8 korrik të Kolegjit Zgjedhor, i cili i dha fund betejës së gjatë ligjore për kryebashkiakun e kryeqytetit.
Do të jetë gjyqtarja Elbana Lluri, që do të shqyrtojë kërkesën e avokatit të Bashës, për njohjen e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që e shpalli atë kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës.