INTERVISTA/ Edi Rama: Grabitja e Tiranës do rrëzojë Berishën
Kryetari i PS, komenton në Top Story rezultatin e Tiranës, vendimet e Kolegjit Zgjedhor, problemet e brendshme në PS dhe hapat e mëtejshëm që do të hedhë partia e tij. Fituam më 8 maj si alternativë opozitare, do fitojmë tani si alternativë qeverisëse
Kryetari i Partisë Socialiste e nisi intervistën e tij në Top Story, duke shprehur ngushëllime për humbjen e Dom Simon Jubanit.
Sot dëshiroj që nga kjo studio të përfitoj nga rasti për të kujtuar me nderim të thellë një nga personalitetet më të mëdha të këtij vendi, i cili u shua dhe u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, Dom Simon Jubani, një personalitet i madh i rezistencës së shpirtit të lirë kundër regjimit komunist, një personalitet i madh, të cilit personalisht, përveçse si qytetar i këtij vendi, i njoh borxh për gjithë jetën kujtimin e paharrueshëm të meshës së parë, një eveniment i jashtëzakonshëm, tronditës. Nga ato varreza filloi të lindte rrezja e një lirie që për shumëkënd mbeti një ëndërr, ndërsa për gjithë ne të tjerët që arritëm atë ditë u bë realitet falë njerëzve të mëdhenj, falë njerëzve që sakrifikuan e dhanë gjithçka për këtë vend, tha Rama.
Kandidimi në Tiranë
Ndërsa moderatori i tha Ramës se është momenti që të kthehen në normalitet me pyetje, ai shtoi se ai është normalitet. Që në fillim Rama tha se gjasat që ajo ndodhi në Tiranë nuk ishin të vogla.
Sigurisht që gjasat ajo që ndodhi të ndodhte nuk ishin të vogla, ishin brenda asaj që ne mund të parashihnim për shkak të një investimi të pazakontë, të një stërfuqie njerëzish e parash, të cilët e vunë të gjithë makinerinë shtetërore në funksion të deformimit të vullnetit të zgjedhësve, tha Rama.
Ai shpjegoi edhe njëherë se fakti që zgjedhjet do kishin probleme e shtynë të kandidonte në Tiranë.
Unë e kam thënë në këtë studio, e kam përsëritur edhe më pas se në rast se do të ishim në një moment normal, në rast se do të kishim një garë normale, zgjedhje realisht të lira dhe të ndershme në Tiranë, unë nuk kisha arsye të kandidoja për bashkinë e Tiranës. Por pikërisht sepse beteja do të ishte ashtu siç ndodhi, krejt e veçantë për shkak të një koalicioni të gjerë të pushtetshmish për të marrë me çdo çmim bashkinë e Tiranës dhe nga ana tjetër duke i vlerësuar të gjitha nxitjet, kërkesat dhe mbi të gjithë ato ndjenja të shumë e shumë njerëzve për të qenë në krye të betejës, zgjodha atë që bëra dhe për këtë jam krenar. Përfitoj nga rasti të shpreh falënderimin më të thellë të gjithë atyre qytetarëve të Tiranës që duke dalë masivisht në votime, e frenuan me votë fuqinë e ngritur në këmbë për të deformuar rezultatin. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë, tha Rama.
Rezultati nuk tregon atë që fshihet pas atij rezultati, që është një manipulim i vullnetit të zgjedhësve përmes një sërë instrumentesh, që nga listat, kartat e tek paratë e pista që u derdhën lumë në Tiranë si asnjëherë në një fushatë elektorale. Ne i fituam zgjedhjet në numërim. Saliu i grabiti në tavolinë dhe më pas i certifikoi nën tavolinë.
Rezultati i Tiranës
I pyetur se përse PS humbi 7 minibashki, Rama tha: Kjo është një aritmetikë që nuk na ndihmon të kuptojmë atë që ka ndodhur realisht në Tiranë. Mjafton të kujtojmë një fakt të thjeshtë, katër vite më parë ne ishim në koalicion me atë parti dhe ishim tërësisht të varur nga rezultati i përbashkët. Sot kemi fituar shumë më tepër se katër vjet më parë, kemi arritur një fitore si asnjëherë më parë në historinë e PS dhe kontrollojmë 2/3 e territorit të vendit, ndërkohë që e përsëris, rezultati i Tiranës nuk është veçse një vjedhje.
Ndërsa i pyetur për të komentuar faktin se humbja e tij ishte parashikuar, Rama tha se qytetarët ishin ata që e morën seriozisht betejën. Tiranën e kemi marrë seriozisht, por akoma më seriozisht betejën e Tiranës e kanë marrë qytetarët, që meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen më të veçantë. Ata bënë që të gjithë parashikimet të rrëzohen me votë. Demokracia është vetëm zgjedhje të lira e të ndershme dhe rezultati i zgjedhjeve në demokraci është kush fiton një votë më shumë, është fitues, kush merr një votë më pak është humbës. Diferencat e vogla mes fituesit e humbësit janë për historinë e analizat e mëtejme, tha Rama.
Ishte fitorja më e bukur sepse ishte fitore ndaj një makinerie të ngritur në këmbë për të rrëmbyer me çdo mjete financiar e politik bashkinë e Tiranës. Sot ajo që ka më tepër rëndësi sesa thjesht rezultati përfundimtar në zgjedhjet e Tiranës, është fakti se Shqipëria jeton kohën e një fashizmi oriental, që tashmë është shpërfaqur plotësisht. Dy vjet me radhe ne ishim dëshmitarët e grabitjes së zgjedhjeve në errësirë, sot çdo shqiptar e partner ndërkombëtar është dëshmitar i një grabitje në ditën për diell. Kësisoj grabitje vote, prone, parash haptas, ndodhin vetëm në regjime që nuk kanë të bëjnë me demokracinë funksionale.
I pyetur nëse duhet të reflektojë për Tiranën, Rama tha: Nuk bëhet fjalë në rastin tonë, në rastin e Shqipërisë për peshën që kanë gabimet e secilës palë. Të gjitha palët, të përfshira në një betejë elektorale bëjnë gabimet e tyre. Të gjithë njerëzit bëjnë gabimet e tyre. Këtu nuk është fjala për peshën e gabimeve sepse ajo është diçka që çdo forcë e vlerëson dhe e mat. Këtu është fjala për peshën e rëndë që kjo që ka ndodhur me zgjedhjet e Tiranës ka mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit tonë dhe të familjeve shqiptare. Dhe nuk po flas për një të ardhme të largët, por për një të ardhme që është sot, është nesër. Për shkak të kësaj që ndodhi, Shqipëria është e refuzuar si një vend i pranueshëm për të vazhduar rrugën e integrimit evropian. Europa dhe BE janë e vetmja pikë referimi në funksion të daljes nga kjo krizë kaq e thellë dhe çlirimi nga ku fashizëm oriental.
Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Këtu nuk është fjala thjesht e vetëm për një betejë për qeverisjen e nesërme, por për një model të shtetit shqiptar, për një model të institucioneve shqiptare. Modeli që sot është shfaqur sot nuk ka të bëjë me Europën e aspiratën e qytetarëve shqiptare. Të gjithë e ndjejnë se ky nuk është vendi ku mund të marrin frymë lirisht, sepse në këtë vend kanë rënë institucionet, në këtë vend ka rënë sistemi i sanksionuar me Kushtetutë e me ligj dhe është vendosur një diktaturë e faktit të kryer, e cila në zgjedhjet e Tiranës u shfaq në mënyrë spektakolare, por në jetën e përditshme përshfaqet në çdo derë, në çdo hap ku qytetari ka nevojë për mbrojtje, për ndihmën e shtetit të tij, sepse shteti nuk është më i qytetarëve, por është një funksion i pushtetit të vjedhur.
Rezultati në pjesën tjetër të Shqipërisë
Por pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë në pjesën tjetër të Shqipërisë. Rama thotë se aty ku nuk ka pasur probleme ka fituar bindshëm.
Kur flasim për një fashizëm oriental, nuk duhet të vrapojmë pas historisë për të sjellë në kujtesë këmishat e zeza. Fashizmi oriental sot është realitet në shumë vende dhe bazohet në faktin e kryer, që parlamenti është vendi ku opozita kthehet e trajtohet thjesht si një fasadë, ku kushtetuta është një libër që lexohet sipas orekseve të pushtetit, ku gjykatat janë vegla të pushtetit, ku institucionet nuk funksionojnë, ku i gjithë sistemi i shërben vetëm pasurimit të një pushteti që nuk del nga vota, por nga grabitja e saj. Por ka ende shpresë se ka ende në këmbë një opozitë që ka ditur të rezistojë dhe të fitojë, të fitojë në kushtet kur strategjia e pushtetit ka qenë e fokusuar për të bërë një maskim të kësaj grabitje, duke u përqëndruar në kryeqytet dhe duke krijuar më shumë fleksibilitet dhe hapësirë në vendet e tjera. Aty ku nuk ka pasur probleme, kemi fituar bindshëm