Këshilli Bashkiak, Kolegji shqyrton sot ankimimin e PD-së

Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë sot ankimimin e Partisë Demokratike, për shpërndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak për Bashkinë e Tiranës.
Në ankimimin e Partisë Demokratike kërkohet nga ana e Kolegjit që të caktojë mandatet për këshillin bashkiak të Tiranës mbi bazën e tabelave të grupeve të numërimit për secilën qëndër votimi.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë me 5 vota pro, aktin për shpërndarjen e mandateve për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Me katër vota pro dhe dy kundër, KQZ-ja nuk ka mundur t`i japë vlerë aktit të saj, për shkak se në bazë të Kodit Zgjedhor, ndarja e mandateve duhet të bëhet me të paktën 5 vota pro.
Më herët KQZ sipas përllogaritjes së tabelës përfundimtare tha se koalicioni "Aleanca për Qytetarin" do të ketë 28 këshilltarë dhe "Aleanca për të Ardhmen" 27 këshilltarë.
Shorti i cili u zhvillua disa ditë më parë përcaktoi relatore të Neriban Mullain, ndërsa anëtarë të tjerë të trupës së gjykimit do të jenë Entela Prifti, Tom Ndreca, Petraq Dhimitri dhe Astrit Kalaja.