E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rikthen në detyrë ish- drejtorin e Policisë së Shtetit. Premçi: Skthehem sa kohë që policia drejtohet nga mafia

premci-ahGjykata e Tiranës e ka cilësuar të paligjshëm shkarkimin e ish- drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Shemsi Premçit. Sipas vendimit të gjyqtares Mimoza Kaja, ish- drejtori i policisë së qarkut të Dibrës, jo vetëm që është shkarkuar në kundërshtim me ligjin, por duhet të rikthehet në detyrë.

Pas thuajse një vit të shqyrtimit të provave, mesditen e së premtes gjykata e Tiranës vendosi rikthimin në polici të Premçit.

I kontaktuar nga TemA, ish- drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit e cilësoi vendimin e gjykatës si një gurë themeli në vendosjen e drejtësisë.

Në një farë mënyre e prisja që Gjykata ta vlerësonte si të paligjshëm shkarkimin tim nga detyra, jo vetëm për faktin se urdhri i Hysni Burgajt nuk ishte i bazuar në ligj, por as nuk ishte në gjendje të faktonte arsyet për të cilat më shkarkoi nga detyra. Ndaj këtë vendim e konsideroj si një provë të fortë se arsyet e vërteta të përjashtimit tim nga policia nuk kishin bënin me shkeljen e ligjit, por ishte një ndëshkim pse unë denoncova kupolën e mafies që ekziston në Policinë e Shtetit. Megjithëse gjykata urdhëron që të kthehem në detyrë, çka do të thotë që drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të më thërrasin në zbatim të vendimit të gjykatës, unë nuk do të pranoj të jem pjesë e uniformave blu deri sa kjo polici të drejtohet nga mafia, të cilën unë e kam denoncuar dhe luftuar, sigurisht brenda kompetencave që më jepte ligji, tha Shemsi Premçi.

Një vit më parë, ish- drejtori i Policisë së Dibrës u përjashtua nga Policia e Shtetit për kryerje të veprimeve të pahijshme dhe shkelje dhe mos ushtrim të kompetencave të policisë. Më 23 prill, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Byrgaj urdhëroi nisjen e hetimeve administrative ndaj Premçit pasi dyshohej se ishte i implikuar në veprime të kundraligjshme.  Urdhri i Burgajt për largimin e ish- drejtuesit të lartë të policisë erdhi pas akuzave që Premçi bëri ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit për implikim  në mafien e kromit në Bulqizë.  Në fakt, ish drejtori i policisë së qarkut të Dibrës u përjashtua nga policia pas bllokimit të 14 kamionëve me krom të cilët transportonin mineral në mënyrë të jashtëligjshme.

Hysni Burgaj është katandisur në një njeri që mban vetëm çelësat e kashtës. Më largoi nga detyra sepse u kisha rënë ndesh grupeve kriminale të mafies së kromit, për ti hapur rrugë shfrytëzimit të pasurisë kombëtare, tha Premçi pas shkarkimit të tij nga detyra.

Kjo nuk ishte hera e parë që ish- drejtuesi i lartë – Policisë së Shtetit konfliktohej me eprorët e tij. Gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, atëherë drejtori i Forcave Speciale të policisë shqiptare, Premçi paditi penalisht ministrin e Brendshëm të komanduar në detyrë në atë kohë, Avenir Peka, se e kishte kërcënuar dhe e kishte kërkuar të përdorte forcat speciale në mitingjet e fushatës.

Prokuroria pranoi kallëzimin penal, por dy muaj më pas deklaroi mbylljen e çështjes./l.ç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›