Topi: Si mund të flasë Berisha për zhvillim të bujqësisë, kur çdo gjë e importojmë?
Kreu i FRD-së, Bamir Topi, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me tregtarët e fruta-perimeve tek Pazari i Ri në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Topi ka thënë se bujqësia shqiptare është në një krizë të madhe, pasi pothuajse çdo gjë importohet nga jashtë.
Sot shohim se si kryeministri shkon në çdo fshat dhe flet për bujqësinë dhe zhvillimin e saj, ndërkohë që në këtë treg dhe në të gjithë vendin shiten produkte që vijnë nga jashtë të cilat janë më të shtrenjta se ato që prodhohen në vend.
Si mund të ndodhë një gjë e tillë në një kohë kur jemi në kulmin e sezonit të prodhimit dhe mundësitë janë që fshatari shqiptar të furnizojë jo vetëm tregun e brendshëm, por edhe atë të jashtëm, tha Topi.
Ai akuzoi edhe politikën për parcelizimin e pronës private, që sipas tij ka ndikuar në uljen e prodhimit, ndërsa ka folur edhe për sigurinë ushqimore.
Të gjithë kërkojmë prodhime të shëndetshme nga fshati, por e rëndësishme është tu krijohen mundësi fermerëve për ti sjellë ato tek qytetari sa më të ushqyeshme. Sa më shumë të prodhojë fshati aq më mirë ushqehet qyteti dhe rritet mirëqenia e banorëve, u shpreh Topi.
Gjatë fjalës së tij, Topi shpalosi një pjesë të programit të FRD-së për bujqësinë.
Ky sektor është një nga bazat e ekonomisë së vendit dhe në programin tonë përfshin një vend të veçantë. Në këtë drejtim duhen politika zhvillimi që të prodhohet në çdo stinë të vitit dhe nga jashtë të importohen vetëm ato që nuk mund të prodhohen në vend, pasi vetëm kështu mund të rrisim sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e të gjitha zonave të vendit, përfundoi ai./b.l