Gjykata urdhëron sekuestrimin e pronave të Rezart Taçit
Rikthehen urdhrat për sekuestron e kompanive dhe të pasurive të Rezart Taçit.
Një vendim i marrë një javë më parë në Gjykatën e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e aseteve të kompanive të tij për shkak të një kredie problematike të marrë prej Taçit në Intesa San Paolo Bank në vlerën e 4 milionë e 400 mijë eurove, raporton e përditshmja Dita.
Kjo nuk është e vetmja kredi problematike e këtij biznesmeni, ndërsa marrëdhënia e tij me bankat, kreditë e këqija dhe detyrimet e prapambetura ka shkuar gjithnjë paralel me ambicien e tij të madhe për tu bërë padroni i naftës në Shqipëri.
Sinjali i parë serioz për sekuestron e kompanive të Taçit erdhi në muajin gusht 2012 kur gjykata vendosi sekuestron e të gjitha aseteve të tij për shkak të një borxhi prej 75 milionë eurosh. Ky borxh ishte marrë nga Taçi në vitin 2009 tek një bankë në Azerbajxhan me qëllim pagesën për privatizimin e kompanisë shtetërore ARMO.