Gjykatësit e EULEX-it, në veri pas PO-së së Beogradit
Gjykatësit ndërkombëtarë të EULEX-it do të kthehen në Gjykatën e Mitrovicës pasi të kenë siguruar një marrëveshje me Beogradin, për të cilën thonë se është në proces e sipër. "Funksionimi i plotë i doganave dhe kthimi i gjyqtarëve vendës në veri, nuk mund të bëhet pa marrëveshje me Beogradin", ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, duke pohuar bisedimet për çështje teknike të stafit të EULEX-it me zyrtarë të Beogradit që kanë nisur që nga muaji mars. Bashkëpunimi me Beogradin, sipas tij, është i pashmangshëm. "Leja" nga Beogradi për funksionimin e doganave brenda territorit të Kosovës, edhe pse në një zonë të diskutueshme të banuar me shumicë serbe, ngre pikëpyetje mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve për veriun e Kosovës. "Marrëveshja është e domosdoshme, është vazhdimësi e vizitës së Kermabonit në Beograd, më 19 mars. Që atëherë, ne kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm teknik në tri fusha, për të cilat kemi mandat: drejtësi, dogana dhe polici", citoi zëdhënësi. Doganat në veri ende nuk funksionojnë tërësisht, po ashtu as Gjykata Komunale dhe ajo e Qarkut. Lamfalusi thotë se po punohet për normalizim të gjendjes. "Është një qëndrim që kemi zbatuar hap pas hapi nga muaji i kaluar. Ne po shkojmë mirë në dogana, po përmirësojmë shërbimet doganore në veri të Mitrovicës. Gjykata në veri po funksionon; jemi në proces të bisedimeve me Beogradin e Prishtinën për kthimin e gjyqtarëve serbë dhe shqiptarë në Mitrovicë. Por, është shumë herët për të folur, sepse na duhet marrëveshja finale për këtë", tha ai. Që nga trazirat e marsit të vitit të kaluar, kur pati mbetur i vdekur një polic ukrainas, stafi vendor i gjykatave nuk ka mundur të kthehet në vendet e tyre të punës. Situata nuk është e mirë as në fushën e doganave. Malli që hyn nga Serbia në Kosovë nuk zhdoganohet në pikat doganore 1 dhe 31, por vetëm regjistrohet. Dhe ky proces përcillet me protesta të vazhdueshme të serbëve, të cilët herë pas here bllokojnë rrugët afër këtyre pikave doganore. Veprimet e tilla shihen si përpjekje për të mos lejuar vendosjen e sundimit të ligjit në veri. (REL)
"Serbët mund të zhduken brenda 500 viteve"
Vitin e kaluar në Serbi kanë lindur 30.000 foshnje më pak se sa nevojitet për riprodhimin natyror të popullatës, ndërsa sipas shkallës së natalitetit Serbia është në vendin e fundit në Evropë. Kështu thuhet në të dhënat e Ministrisë serbe të Politikës Sociale, publikuar në gazetën serbe "Veçerni list". Numri i fëmijëve për një çift martesor është zvogëluar prej 4.1 në 0.8, ndërsa parashikimet më të errëta të ekspertëve janë se nëse ky trend vazhdon, serbët biologjikisht do të zhduken brenda 500 viteve. Sipas ekspertëve, shqetësuese janë të dhënat se numri i martesave është zvogëluar për një të katërtën gjatë dy dekadave të fundit, një e treta e çifteve martesore nuk kanë trashëgimtar, ndërsa rreth 800.000 qytetarë kërkojnë ndihmë mjekësore që të bëhen prindër. "Në vitin 2100, në Serbinë qendrore do të ketë vetëm 2.1 milionë serbë, në Vojvodinë 800.000, ndërsa në Kosovë ky numër sipas trendit të deritanishëm të popullatës do të ishte 4.4 milionë. Do të thotë se në shtetin amë do të jemi minoritet", deklaroi ekspertja për çështjet e natalitetit Biljana Spasiç. (Gazeta "Express")