Martohen pas 16 vitesh, gjen letrën e dashurisë
Një anglez dhe një spanjolle kanë përfunduar me martesë historinë e tyre të dashurisë që lindi në universitet, pas një shkëputjeje gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Steve Smith dhe Carmen Ruiz-Perez, 42-vjeçarë, nuk ishin parë që pas përfundimit të studimeve. Steve i kishte dërguar një letër dashurie Carmenit në shtëpinë e mamasë së saj. Por zarfi kishte rrëshqitur pas oxhakut dhe është rishfaqur pas 16 vitesh, kur shtëpia po rikonstruktohej. Njëlloj si nëpër filma, menjëherë Carmen i ka telefonuar mikut të saj. Marrëdhënia e tyre kishte lindur në vitin 1992 në Brixham, jugperëndim i Anglisë, ku Carmen kishte mbërritur për një program këmbimi kulturash. Më pas ata ishin ndarë, sepse Carmen kishte vendosur të transferohej në Paris. Pas shtatë vitesh Steve i kishte dërguar një letër në shtëpinë e mamasë së saj në Spanjë, ku i shkruante se ai e donte ende.