Gjylameti: Kategorizim i ri i stabilimenteve në sektorët e mishit, qumështit, vezëve dhe peshkut

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, deklaroi sot se siguria ushqimore përbën një moment kyç dhe një hap të qartë e të vendosur të Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve europiane në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.
Deklarata u bë gjatë takimit në Tiranë me operatorë të biznesit ushqimor me temë “Siguria Ushqimore – Prioritet Kombëtar dhe Përgjegjësi e Përbashkët për Integrimin në BE”, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Gjylameti theksoi se përmbushja e kushteve të BE-së nuk është më një objektiv afatgjatë, por një prioritet i menjëhershëm dhe i padiskutueshëm për institucionet shqiptare.
“Siguria ushqimore nuk është thjesht një standard teknik, por një kontratë besimi mes shtetit, industrisë dhe qytetarëve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, procesi i nisur nuk synon mbylljen e bizneseve, por rritjen e standardeve, forcimin e tregut dhe ndërtimin e një sistemi të drejtë e të besueshëm.
Gjylameti bëri të ditur se është hapur zyrtarisht procesi i vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve në katër sektorë: mishit dhe nënprodukteve, qumështit dhe nënprodukteve të tij, vezëve dhe peshkut, si dhe ushqimit për kafshë.
Ajo nënvizoi se për këtë proces, i cili zhvillohet për herë të parë në vend, janë organizuar tryeza teknike me përfaqësues të sektorit, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar, për të adresuar kërkesat në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Gjithashtu, sipas saj, janë zhvilluar takime me partnerë ndërkombëtarë si GIZ, Banka Botërore dhe misioni lituanez, në kuadër të programit EU Food4Safety, me fokus trajnimin dhe asistencën për forcimin e kapaciteteve inspektuese.
“Kjo do të ndihmojë që trupat inspektuese të jenë në standardet e duhura për zhvillimin e procesit dhe përmirësimin e sistemit të sigurisë ushqimore”, tha Gjylameti.
Gjylameti shtoi se procesi i kategorizimit është një instrument thelbësor për identifikimin e nivelit të përputhshmërisë së sektorëve, evidentimin e problematikave dhe orientimin e investimeve dhe afateve për përmirësim.
Në fokus të reformës, sipas saj, është gjithashtu forcimi i kapaciteteve infrastrukturore dhe laboratorike përmes projektit KRAK, i cili parashikon ngritjen nga e para të katër laboratorëve dhe pajisjen e tre të tjerëve, si dhe përmirësimin e pikave të inspektimit kufitar.
Këto investime, theksoi ajo, do të rrisin ndjeshëm saktësinë e analizave, shpejtësinë e përgjigjeve laboratorike dhe besueshmërinë e sistemit të kontrollit ushqimor.
“Thelbi i reformës është ndërtimi i një sistemi transparent, të matshëm dhe të drejtë. Kategorizimi nuk është formalitet, por një instrument konkret që përcakton nivelin e përputhshmërisë dhe orienton përmirësimet”, u shpreh Gjylameti.
Ajo theksoi se procesi po zhvillohet me njoftim paraprak dhe në mënyrë të strukturuar për të reflektuar realitetin e funksionimit të stabilimenteve dhe sistemeve të vetëkontrollit.
“Siguria ushqimore është një standard i panegociueshëm. Asnjë produkt që rrezikon shëndetin e qytetarëve nuk do të jetë pjesë e tregut. Standardi europian nuk është pengesë, por çelësi për të hyrë në tregun e përbashkët europian”, u shpreh Gjylameti, duke theksuar se AKU do të jetë pranë bizneseve në këtë proces transformimi. /j.p/