Gonzato: Shqipëria në fazë vendimtare të negociatave, siguria ushqimore ndër reformat më komplekse

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi sot se, siguria ushqimore përfaqëson një nga fushat më komplekse dhe transformuese të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij në një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Gonzato nënvizoi se, “siguria ushqimore nuk është vetëm një kërkesë teknike, por një e mirë publike themelore, që mbron qytetarët, forcon besimin e konsumatorëve dhe krijon kushte për konkurrencë të drejtë të bizneseve”.
Ai vlerësoi se, në kuadër të procesit të integrimit evropian, kjo fushë përbën një nga reformat më komplekse dhe transformuese, ndërsa Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë vendimtare të negociatave.
Sipas tij, progresi nuk matet më vetëm me hartimin e legjislacionit, por me funksionimin e sistemeve të harmonizuara me standardet e BE-së, zbatimin efektiv të tyre dhe kryerjen e inspektimeve të bazuara në vlerësimin e rrezikut.
Ambasadori theksoi rëndësinë e laboratorëve të akredituar dhe të besueshëm, si dhe të operatorëve ushqimorë që përmbushin në mënyrë të qëndrueshme standardet evropiane.
Në këtë kuadër, ai veçoi si çështje kyçe kategorizimin e operatorëve të biznesit ushqimor, i cili ndihmon autoritetet të diferencojnë subjektet sipas nivelit të përputhshmërisë dhe të orientojnë më mirë burimet e kontrollit.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sektorë si qumështi dhe mishi, ku hendeku mes praktikave aktuale dhe kërkesave të BE-së mund të jetë i konsiderueshëm,” tha Gonzato.
Ai shtoi se përmirësimi i cilësisë së qumështit të papërpunuar është një parakusht për konkurrueshmërinë dhe aksesin në tregun evropian, duke theksuar se pa një cilësi të qëndrueshme në prodhimin primar nuk mund të ndërtohet një zinxhir vlere në përputhje me standardet e BE-së.
Gonzato vuri në dukje se për operatorët e biznesit ushqimor ky proces paraqet njëkohësisht mundësi dhe sfida.
“Nga njëra anë, harmonizimi me standardet e BE-së hap rrugën drejt një tregu të madh dhe rrit besimin e konsumatorëve, nga ana tjetër, kërkon investime në infrastrukturë, pajisje, higjienë dhe trajnime të vazhdueshme”, tha ai.
Gonzato theksoi gjithashtu nevojën për mbështetje më të madhe ndaj bizneseve, veçanërisht atyre të vogla, si dhe për transparencë dhe profesionalizëm në procesin e kategorizimit dhe zbatimit të reformave.
“Pa besim dhe transparencë, edhe reformat më të mira nuk mund të kenë sukses”, u shpreh ambasadori.
Ambasadori nënvizoi se, BE mbetet një partner i përkushtuar në këtë proces, duke bërë të ditur se Shqipëria ka përfituar 12.5 milionë euro në kuadër të projektit “BE për Sigurinë Ushqimore”.
Ai theksoi se, “kjo mbështetje pasqyron partneritetin e ngushtë mes palëve. Integrimi në BE nuk shihet si një proces i njëanshëm, por si një përpjekje e përbashkët, ku progresi varet nga bashkëpunimi, dialogu dhe angazhimi për rezultate konkrete”.
Ambasadori theksoi se, Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm dhe drejtimi është i qartë, por hapat e ardhshëm do të jenë vendimtarë.
“Gjashtë kushtet përmbyllëse për Kapitullin 12 mbi sigurinë ushqimore janë të përcaktuara dhe kërkojnë angazhim të vazhdueshëm politik, lidership të fortë institucional dhe përfshirje aktive nga sektori privat”, u shpreh Gonzato.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbetet partner i përkushtuar në këtë rrugëtim të rëndësishëm për Shqipërinë”, përfundoi Gonzato.
/gj.m/j.p/