Gjyqet e komunizmit

Në simpoziumin e mbajtur për veprën Dosja e Diktaturës, studiuesit referuan për rëndësinë që ka ajo për kujtesën historike, gjykimin e ftohtë të autorit Pepa, gjykim që ngrihet mbi mllefin dhe urretjen. Ribotimi përmbledh Gjyqin Special të vitit '45, Gjyqin e Deputetëve, Gjyqin e Opozitës së parë, si dhe luftën e regjimit me klerikët
Gjyqi Special i 1945-ës, lufta e egër kundër klerit, gjyqi i opozitës së parë shqiptare, gjyqi i deputetëve më 1947-ën, emrat e ekzekutuesve dhe të ekzekutuarve, jetëshkrime, procesverbalë dënimesh, pamje nga sallat e gjyqeve, portrete të akuzuarish që merren në pyetje, gra të veshura me të zeza, turma njerëzish që dëgjojnë me altoparlantë vendimet. Është dosja e një mjeku, në 20 vite kërkimi në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në Arkivat e Vatikanit, nëpër dëshmi, materiale të sjella nga familjet e viktimave, në shtypin e periudhës.
Vepra e Pjetër Pepës "Dosja e diktaturës"(Kumi 2009), u diskutua në një simpozium në ambientet e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ku referuan studiuesit: Kolec Topalli, Uran Butka dhe Amik Kasoruho.
Tri referimet vërtiteshin rreth të njëjtit qëllim, mbajtja gjallë e kujtimeve të së kaluarës, një mënyrë që ajo të mos përsëriset. Por edhe për një apel për drejtësi, që studiesi dhe përkthyesi Amik Kasoruho e përmblodhi në retorikën: "Nëse u dënuan ata që nuk kishin faj, fajtorët kanë për të mbetur të pandëshkuar?".
"Të mos e kërkosh të vërtetën, të mos e nxjerrësh atë në dritë, të mendosh se heshtja është mjekimi më i mirë kundër dhimbës, jo vetëm që është një mendim i gabuar, dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël, por edhe një faj ndaj plagëve që nuk janë mbyllur ende dhe që nuk mund të mbyllen, deri sa të mos ketë një ballafaqim me të vërtetën historike, që nuk njihet, që është shformuar, që është heshtur", u shpreh ai.
Në takimin e djeshëm u rikujtuan gjyqet absurde, spektaklet dramatikë, persekutimet, torturat në kampe, dënimet e egra të intelektualëve në Shqipërinë e pas 45-ës.
"Shqipërinë e mbushur me burgje të vogla, por që vetë ishte brenda një burgu të madh", pohon vetë autori Pepa.
Kasoruho u shpjegoi të pranishmëve vlerat që e bëjnë të veçantë veprën "Dosja e Diktaturës", në morinë e botimeve të këtij lloji. Ai e vlerësoi për "ftohtësinë" e saj, që nuk ka intepretime të autorit dhe çka është më e rëndësishmja: ajo ngrihet mbi mllefin dhe urrejtjen. "Autori i paraqet faktet me ftohtësinë e një shkencëtari, pa mllef, pa urrejtje, elemente këto që mund të mendohen si reaksioni më i natyrshëm ndaj përbindëshit: diktatura e proletariatit. Unë mendoj se renditja e fakteve pa i komentuar, paraqitja e dokumentuar e gjyqeve-farsa dhe e dënimeve të paravendosura, i shërbejnë më mirë të vërtetës".
Pjesa e parë e veprës, ku prezantohet gjyqet e komunizmit, i është prezantuar lexuesit në vitin 1995, nga i njëjti autor.
Ribotimi është plotësuar me të tjera dokumenta, të tjera fakte të dënimit të klerikëve edhe pas viteve '50.
Tek "Kleri katolik, Epiqendra e tërmetit komunist", Pjetër Pepa i përshkruan klerikët: "Pjesa më e zgjedhur, më e arsimuar dhe më e përgatitur, vuajti në mundime të papërshkrueshme në burgjet e kampet e shfarosjes, shumë humbën jetën ndër toturat më barbare dhe më shumë u vranë e u pushkatuan zajeve dhe prroskave, pa iu ditur ende as vendi i eshtrave të shenjta".
Pjesa e dytë përmbledh fragmente të shkurtra jetëshkrimi, kujtime, dëshmi të vuajtjeve të më shumë se 50 klerikëve, ndër ta Dom Lazër Shantoja, At Anton Harapi, At Donat Kurti, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Gjergj Simoni, Dom Ndre Zadeja. Flitet edhe për të huajt e pushkatuar, gjermanët Alfons Tracki dhe Jozef Marksen dhe civilët shqiptarë të dënuar : studentin Mark Çuni, profesorin Gjelosh Luli, 20 vjeçaren Marie Tuci dhe Dom Gjon Gazullit, që i përket periudhës së Zogut.
Këto të dhëna, vetë autori Pjetër Pepa i ka dhënë pak kohë më parë në një intervistë për "Shekullin", ku flet rreth procesit të Kanonizimit, hapi i shpalljes martirë të 40 viktimave të diktaturës nga Vatikani.
Pepa ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Vatikan në vitin 1997. Ka qenë deputet në Kuvendin Popullor në vitin 1991 dhe 1992.