Ballsh, 400 familje në protestë për infrastrukturën

Banorët e lagjes më të vjetër të bashkisë janë shprehur se kanë mbi 15 vjet që vetëm presin nga pushtetarët
BALLSH - Rreth 400 familje në Bashkinë e Ballshit kanë më shumë se 15 vjet që po vuajnë problemin e infrastrukturës. Bëhet fjalë për lagjen "Bylis" të kësaj bashkie, një nga lagjet më të mëdha dhe më të vjetra. Aty mungojnë prej vitesh kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, ndërsa rrugët kryesore që lidhen me qytetin janë të shkatërruara. Banorët e kanë ngritur zërin disa herë për këtë shqetësim, por askush nuk i ka dëgjuar. Në shumë legjistatura shumë deputetë që kanë kandiduar ose kanë fituar, kanë premtuar se situata do të rregullohet, por këto kanë qenë vetëm premtime elektorale dhe të mbetura në letër.
Në kushtet e krijuara, ku askush nuk interesohet, ku bashkia nuk tregon asnjë interes për të investuar në këtë lagje, banorët dolën në një protestë paqësore. Dje paradite rreth 200 banorë që përfaqësonin 400 familje të kësaj lagjeje janë mbledhur në qendër të qytetit, kanë përshkruar rrugën kryesore të tij dhe më pas, duke ecur në këmbë, janë futur në oborrin e bashkisë së qytetit. Gjatë gjithë rrugës prej një kilometri drejtuesit e kësaj proteste kanë bërë thirrje që me ta të bashkoheshin edhe banorë të tjerë të Ballshit, pasi situata në këtë qytet është e njëjtë me atë të lagjes ku ata banojnë, e cila njihet nga ballshiotët si lagjja më e vjetër. Në këtë lagje, që prej shumë vitesh po vuan pasojat e një infrastrukture pothuajse të shkatërruar, nuk është investuar asnjëherë.
Protestuesit gjatë rrugës kanë hedhur edhe parulla të ndryshme lidhur me mjedisin e ndotur në Ballsh e të tjera. Në duar ata mbanin parulla ku shkruhej "Stop Ndotjes", "Stop Keqmenaxhimit" , "Stop Persekutimit të Bylisit". Në krye të protestës banorët kishin shpalosur flamurin kombëtar. Protestuesit shoqëroheshin edhe nga policia, të cilët kësaj të fundit i kishin marrë leje. Shumë nga drejtuesit e kësaj proteste, si dhe banorë të tjerë kanë folur lidhur me gjendjen e lagjes së tyre. Albert Aliaj, i cili ishte edhe organizatori kryesor, është shprehur se kushtet e këqija të jetesës, siç janë kanalizimet e ujërave të zeza që janë bashkuar me ato të bardhat, rrugët gjithë gropa ku nuk kalohet dot në këmbë, dhe jo më me mjete, i kanë detyruar banorët të dalin në këtë protestë. Midis të tjerave ai iu drejtua pushtetarëve me shumë pyetje dhe kërkoi prej tyre një përgjigje pozitive. Sipas Aliajt, 40% e votave për karriget e tyre deputetët i kanë marrë nga kjo lagje bujare e fisnike. "Le t'u themi atyre Stop Persekutimit të Bylisit. Ne nuk kërkojmë punë, se e dimë që nuk ka. Kërkojmë tokat të zëna nga ju, të cilat ia kemi dhuruar shtetit për të ngritur qytetin e Ballshit. Pikërisht sot kemi në shtëpi nga 200 metra tokë dhe me këtë nuk ushqehemi dot. Prandaj kërkojmë nga ju që të na i kompensoni ato apo të shtroni rrugë apo kanalizime. Jemi lagjja më e ndotur në qytet, më e persekutuar, pa kanalizime. Duam një reagim nga pushteti sa më parë, përndryshe ne do të protestojmë deri në zgjedhjen e problemeve tona", u shpreh Aliaj.
Ndërkohë, të tjerë banorë kanë folur për indiferentizmin e pushtetarëve të bashkisë. Bilbil Fetaj, Dashnor Hamitja, Shpëtim Dervishi, Fetim Selimaj, Qamil Osmani dhe shumë banorë të tjerë në fjalën e tyre janë shprehur se shumë herë janë dhënë fonde për rrugë, kanalizime e të tjera, ka tre vjet që jepen fonde dhe nuk dihet ku shkojnë. Sipas tyre, hidhet pak bitum në rrugë dhe kjo nuk mban për shumë kohë, por e bën më keq situatën. "Ne do të protestojmë deri në zgjidhjen e problemeve, në të kundërtën do të bllokojmë rrugën nacionale", u shprehën protestuesit. Më pas ata u shpërndanë qetësisht.