E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjyqi i Veliajt, si ai i Kadri Hazbiut”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë, u ndal te seanca e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese të premten e kaluar.

Berisha u shpreh se Veliaj gjatë seancës gjeti guximin të krahasonte Partinë Socialiste me FARC-un e Kolumbisë.

“E premtja që kaloi është e premtja më e zezë e narkoshtetit të Edi Ramës. Të gjithë ne ishim dëshmitarë me disa pamje të cilat atyre që janë përjetuar diktaturën totalitare, i kujtojnë procesin e Kadri Hazbiut në gjyqin e partisë. Të tilla ishin pamjet e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, por në dallim nga Kadri Hazbiu që deklaronte se e ka nga partia e tij, Erion Veliaj me guxim krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë.

Nuk kam absolutisht as edhe ndjesinë apo më minimale, se Erion Veliaj është një person i pafajshëm. Erion Veliaj është një person i cili mbahet në burg për minimumi 1/100 e asaj që ka vjedhur dhe shpërdorura, për të mos thënë 1/200-ën e saj. Por duke thënë këtë, e vërteta e padiskutueshme është se të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrë brutale, u përdor ndaj tij ajo praktikë që Enver Hoxha përdori ndaj Kadri Hazbiut.

Në këtë rast, duke shkelur çdo procedurë e çdo ligj, i dhanë atij guxim të krahasojë me FARC-un e Kolumbisë partinë e tij. Në fakt ai tha një të vërtetë, narkoparti, narkoregjim. Kjo është e vërteta e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Berisha.

LEXO EDHE: FJALA E PLOTË/ Veliaj: Kjo nuk është demokraci! Zoti i faltë bashkëpunëtorët e mi

Kadri Hazbiu ishte një ndër figurat më të rëndësishme regjimit komunist në Shqipëri duke mbajtur disa poste të larta shtetërore si Ministër i Brendshëm apo ministër i Mbrojtjes.

Në vitin 1982, pas përplasjeve të brendshme në kupolën e pushtetit, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia e akuzuan Hazbiun për tradhti ndaj atdheut, spiunazh për shërbimet sekrete jugosllave dhe sovjetike dhe pjesëmarrje në një komplot brenda Sigurimit të Shtetit.

Ai u arrestua dhe iu nënshtrua një gjyqi të montuar politik, së bashku me figura të tjera si Feçor Shehu dhe Llambi Peçini. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe me akuza të bazuara kryesisht në deklarata të diktuara.

Në 1983, Kadri Hazbiu u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›