E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjyqi për shpifje ndaj Bardhit, Rama: S’kanë prova dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale mesazhin e koordinatorit juridik në gjyqin për shpifje ndaj kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në mesazhin e tij, koordinatori juridik informon kryeministrin mbi pretendimet e avokatëve të Bardhit në seancë gjyqësore, sipas së cilëve “ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur”.

“Natyrisht ata prova s’kanë dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe”, i shkruan koordinatori juridik Kryeministrit Edi Rama.

“Eh Babale Babale, spërdridhu spërdridhu…”, u shpreh Rama.

Më poshtë postimi i plotë i kryeministrit:

Një mesazh nga koordinatori juridik i shumë gjyqeve me kënetën. Lexojeni pak:

“Sot kishim gjyqin për shpifje me Gaz Bardhin. Avokatët e tij kanë këmbëngulur që të mos merren parasysh vendimet e penales, sepse medemek ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur. Plus në parashtrime thoshin Ols Rama ashtu e Ols Rama kështu, paçka se SPAK-u e nxori qartë fare që ai s’ka asnjë lidhje me akuzat e Bardhit. Megjithatë avokati ynë ua ka bërë të qartë që padia është e Edi Ramës dhe bëhet fjalë për deklaratat e Bardhit për kryeministrin që ka fshirë emrin e vëllait nga dosja me prokurorë që pastaj i ka promovuar etj etj.. Pra gjyqi është me Edi Ramën dhe për shpifjet ndaj Edi Ramës, prandaj ata duhet të sjellin prova që të vërtetojnë thëniet e Bardhit. Po natyrisht ata prova s’kanë dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër”.

Eh Babale Babale, spërdridhu spërdridhu…”

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›