Mahila: Mbi 563 mijë shtetas përfitojnë nga shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi sot dy akte normative që kanë të bëjnë me zgjatjen e vlefshmërisë së pasaportave dhe letërnjoftimeve elektronike deri në fund të muajit maj 2025.
Përfitues nga këto akte normative do të jenë të paktën 563 283 shtetas, të cilëve do t’u skadojnë dokumentet e identifikimit deri në 11 maj, ndërkohë që pas miratimit të këtyre akteve normative në Kuvend, zgjatet vlefshmëria e tyre, duke mundësuar kështu regjistrimin dhe pjesëmarrjen si votues në zgjedhjet e 11 majit.
I ftuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të relatuar këto Akte Normative ishte zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila.
Mahila theksoi se miratimi i këtij propozimi do të mundësojë pjesëmarrje të gjerë të votuesve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të regjistrohen në platformën PER për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Ai informoi se Aktet Normative vijnë pas kërkesës së depozituar nga KQZ në 20 janar 2025, drejtuar Këshillit të Ministrave dhe për dijeni partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.
“Propozimi ndikohet si rezultat i situatës aktuale në të cilën kërkohet mundësimi i të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë jashtë vendit që nuk disponojnë dokumente të vlefshme identifikimi për zgjedhjet e 11 majit. Shqetësim ky i evidentuar edhe në raportin e OSBE-së të periudhës 3-6 dhjetor 2024 për zgjedhjet e 11 majit”, tha Mahila.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani u shpreh dakord me këtë propozim, sepse u jepet mundësia për të votuar qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë, Dogjani theksoi se nuk ka informacion të qartë nga qeveria në lidhje me informimin e emigrantëve jashtë, të cilët nuk kanë një pasaportë në shtetet e tjera.
“Ata kanë të drejtë të votojnë edhe pse nuk kanë lejeqëndrimi. Kam komunikuar vetë dhe nuk janë të informuar që kanë të drejtë pavarësisht se nuk kanë dokumentet e një shteti tjetër. Duhet të kenë një adresë dhe kartën e identitetit shqiptare, qoftë edhe të skaduar, dhe kanë të drejtë të votojnë”, tha Dogjani. /j.p/