E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: Po, ne jemi të korruptuar

Silvana Muça

Anketa me 177 gjyqtarë: Ministria, më pak e korruptuar, më pas KLD-ja e në fund Konferenca Gjyqësore

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike, ka publikuar anketimin e bërë me gjykatësit e Shkallës së Parë të Gjyqësorit në të gjithë vendin. Të anketuarit kanë thënë së sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe ka mungesë integriteti. Ata pranojnë se kanë favorizuar njërën palë, gjatë procesit gjyqësor, si pasojë e ndërhyrjes së politikanëve, apo zyrtarëve të tjerë të lartë. Gjyqtarët janë shprehur në anketën e bërë, se ndërhyrjet më të mëdha, me qëllim ndikimi në dhënien e vendimit, vijnë nga avokatë, zyrtarë apo drejtues të pushtetit lokal. Në kryeqytet, kjo ndërhyrje është më e madhe nga deputetë dhe drejtues lokal. Gjithashtu në publikimin e anketës, është dalë në konkluzionin se, shkaktari kryesor i dështimit të proceseve apo zgjatja e tyre, vjen si pasojë e mungesës së dëshmitarëve në gjyq dhe mungesës së avokatëve. Po ashtu, një vend të konsiderueshëm zënë edhe arsyet që lidhen me boshllëqe ligjore. Gjyqtarët mendojnë se niveli i gjykimit është më i mirë në Shkallën e Parë dhe më pas përkeqësohet në Shkallën e Dytë, për të pësuar një ngritje të lehtë në Gjykatën e Lartë. Ndër institucionet e drejtësisë, gjyqtarët kanë zgjedhur si më efektivin Ministrinë e Drejtësisë, për të vazhduar më pas me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në fund Konferencën Gjyqësore. Mësohet se edhe gjyqtarët vetë bien pre e korrupsionit, në shërbimet publike ku ata paguajnë. Gjyqtarët vlerësojnë se shoqëria civile nuk i ka ndihmuar aspak dhe se media u bën presion në shumë raste.

Njëkohësisht, ata kanë kërkuar një rregullim të raporteve mes pikëzimit dhe vjetërsisë së punës së gjyqtarëve. Pjesa më e madhe e tyre kanë propozuar që të ulet pikëzimi, për shkak të vjetërsisë së punës dhe punës akademike e shkencore, sepse kjo metodë penalizon nga promovimi, gjyqtarët me magjistraturë. Të anketuarit thonë se kriteri i vjetërsisë në punë do të penalizonte nga promovimi gjyqtarët që kanë mbaruar Magjistraturën, duke pasur parasysh se ky kriter merr 100 pikë dhe magjistratët, të cilët punojnë në gjykatë, janë në mazhorancë mes moshës 30-40 vjeç. Gjithashtu edhe veprimtaria shkencore, të marrë më pak pikë, sepse kjo kërkon impenjim maksimal për gjyqtarët, duke rënduar përkushtimin e tyre, në punën e përditshme. Në listën e propozimeve, kanë kërkuar që të rishikohet volumi i punës së gjyqtarit, sasia dhe shpejtësia e gjykimeve, lloji i çështjeve të trajtuara nga gjyqtarët, niveli i arsyetimit të vendimit gjyqësor, mungesa e masave disiplinore, etika e gjyqtarëve, pasuria e tyre, e të tjerë. Gjithashtu kanë kërkuar krijimin e një strukture, që bën të mundur frekuentimin e dëshmitarëve në gjyqe. Një pikë tjetër e ngritur në anketë, ishte evidentimi i rasteve, ku gjyqtarët mendojnë se ka boshllëqe ligjore për të rishikuar ligje të ndryshme.

Anketimi u realizua në periudhën shkurt-mars të këtij viti. Në atë u përfshinë 60% e gjykatave të Shkallës së Parë në të gjithë vendin. Në proces morën pjesë 58% e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë. Rreth 60 për qind e gjykatësve janë meshkuj, ndërsa 40% janë femra. Rreth 64 për qind e gjykatësve vijnë direkt nga Fakulteti i Drejtësisë, ndërsa pjesa tjetër vjen nga Magjistratura. Përzgjedhja përfshin gjykata nga të gjitha zonat dhe kategoritë e qyteteve, pra prej gjykatave të vogla dhe në deri tek ato të qyteteve të mëdha. Rreth 38 për qind e të anketuarve kanë pasur një histori promovimi, ndërsa afro 62 për qind nuk kanë pasur raste promovimi.

Objektivi i anketimit ishte, matja e impaktit të reformës në promovimin e gjyqtarëve ndërmarrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë përgjatë vitit 2011 dhe matja e perceptimit të gjyqësorit për vetë gjyqësorin dhe institucionet e tjera. - Silvana Muça

 

Disa përfundime të anketës

- Gjyqtarët janë kritikë ndaj sistemit të drejtësisë. Ata mendojnë në shifra të konsiderueshme, se drejtësia është e korruptuar dhe ka mungesë integriteti;

- Gjyqtarët janë joshur në mënyrë të konsiderueshme për të favorizuar një palë në procesin gjyqësor;

- Ndërhyrjet më të mëdha, me qëllim ndikimin e vendimit të gjykatës, vijnë nga avokatët dhe zyrtarë apo drejtues të pushtetit lokal. Në Tiranë kjo ndërhyrje është më e madhe nga deputetë dhe zyrtarë të lartë. Edhe pse e vogël, shifra që paraqet ndërhyrjen e Presidencës është e konsiderueshme dhe mjaft e dëmshme, për shkak të konfliktit të interesit dhe prodhimit të një përqindjeje edhe pse të vogël nga një grup mjaft i vogël zyrtarësh;

- Gjyqtarët rendisin si shkaktar kryesor të dështimit të proceseve apo zgjatjes së tyre, mungesën e dëshmitarëve në gjyq dhe mungesën e avokatëve. Po ashtu, një vend të konsiderueshëm zënë edhe arsyet që lidhen me boshllëqe ligjore;

- Gjyqtarët mendojnë se niveli i gjykimit është më i mirë në Shkallën e Parë dhe më pas përkeqësohet në Shkallën e Dytë për të pësuar një ngritje të lehtë në Gjykatën e Lartë;

- Ndër institucionet e drejtësisë gjyqtarët kanë zgjedhur si më efektivin Ministrinë e Drejtësisë për të vazhduar më pas me KLD-në dhe në fund me Konferencën Gjyqësore.

- Gjyqtarët vetë janë shpesh pre e korrupsionit në shërbimet publike ku ata paguajnë;

- Gjyqtarët vlerësojnë se shoqëria civile nuk i ka ndihmuar aspak;

- Ata vlerësojnë se media në jo pak raste përbën presion.

Gjyqtarët: Po, ne jemi të korruptuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›