Vrasja e tregtarit në Yzberisht, policia identifikon autorin e dyshuar
Policia e Tiranës ka deklaruar se është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes së tregtarit në Yzberisht, ngjarje kjo e ndodhur në 23 gusht të këtij viti. Sipas burimeve policore i dyshuari është Jashar Meta, 27 vjeç , i cili është arrestuar në datën 6 tetor për armëmbajtje pa leje, po pas verifikimeve nëpërmjet laboratorit të kriminalistikës ai është zbuluar nga analiza e ADN-së, pasi kishte lënë gjurmë në vendngjarje.
Në momentin e arrestimit atij i është sekuestruar një pistoletë TT prodhim kinez me pesë fishekë. Vrasja e tregtarit Petrit Kurti ka ndodhur në datën 23 gusht, në dyqanin e tij në Yzberisht të Tiranës. Viktima ka qenë në biznesin e tij së bashku me bashkëshorten kur një i ri ka hyrë në mini-market dhe e ka qëlluar me dy plumba në kokë.
Sipas policisë e mes agresorit dhe viktimës ka pasur një debat për rreth 5 minuta, ndërsa pas ekzekutimit autori nuk ka prekur asgjë në mini-market dhe është larguar. Disa javë pas ngjarjes, policia e Tiranës publikoi fotot e autorit, të cilat ishin marrë nga kamerat e sigurisë. Identifikimi i tij ishte i vështirë për shkak se i riu mbante një kapele dhe nga vendi ku ndodhej kamera e sigurisë, nuk mund të dukej qartë fytyra e tij.
24 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Vrasja e tregtarit në Yzberisht, policia identifikon autorin e dyshuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip