Gjyqtarët kosovarë do të gëzojnë mbrojtje policore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për të ofruar mbrojtje individuale për gjyqtarët kur janë të kërcënuar në lidhje me detyrën. Kjo masë është përkrahur nga zyrtarë e gjyqtarë, por është kundërshtuar nga disa ekspertë ligjorë.“Kjo marrëveshje do të ndikojë që gjyqtarët të ndjehen më të pavarur në punën e tyre, e vendimet gjyqësore të jenë të drejta e të paanshme”, tha Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Marrëveshja përcakton se të dy njësitë do të mbështesin njëra-tjetrën duke shkëmbyer informacion lidhur me rrezikun e pranishëm kundër jetës e pronës së gjyqtarëve.
Këshilli Gjyqësor do të caktojë një administrator sigurie që do të jetë i ngarkuar për marrjen e informacionit rreth kërcënimeve kundër gjykatësve, analizimin e intensitetit të rrezikut dhe, në bashkëpunimin me mbikëqyrësin e tij do, t'i kërkojë mbrojtje policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës do të caktojë gjithashtu zyrtarë për të siguruar zbatimin e marrëveshjes e që do të veprojnë kur të marrin një kërkesë për mbrojtje nga administratori i Këshillit Gjyqësor.
Policisë i kërkohet të vlerësojë në qoftë se kërkesa është e bazuar e në bazë të vendimit të sigurojë që një gjyqtar është i mbrojtur.
Në qoftë se një kërkesë për mbrojtje është e pabazë, policia duhet të informojë këshillin gjyqësor brenda tre ditësh për arsyet pse nuk veproi.
“Kjo marrëveshje duhet të çmohet lart duke ditur se siguria e gjyqtarëve është thelbësore për funksionin që kryejnë”, tha për SETimes, Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse për Këshillin e Drejtësisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.
Marrëveshja vjen në përgjigje të kërcënimeve të shumta e dhunës ndaj gjyqtarëve për të ndikuar mbi ata ose për t'i parandaluar nga kryerja e detyrave të tyre.
Zyra e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë tha në raportin e saj mbi reformën gjyqësore vitin e kaluar se ka një "trashëgimi të ndikimi të fortë ekzekutiv, kërcënime ndaj gjyqtarëve e familjeve të tyre, hyrje të pakufizuara në zyrat e gjyqtarëve si dhe infrastruktura e gjykatës e rregulla të sigurisë mbeten të dobëta."
"[Përmirësimet janë] thelbësore në shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, stabilitetin ekonomik e sigurinë", tha Verner Almhofer, kreu i zyrës së Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Por, disa ekspertë ligjorë thanë se marrëveshje të tilla janë të të panevojshme e udhëheqës institucionalë duhet të përqendrohen në zbatimin e kuadrit ekzistues ligjor që është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje individuale ndaj gjyqtarëve.
"Ata duhet të çojnë përpara bashkëpunimin mbështetur në kuadrin ligjor që është i mjaftueshëm ... kur ofrojnë siguri edhe për çdo gjyqtar e prokuror individual që ndjehet i kërcënuar", tha për SETimes Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Megjithatë, vendet fqinje përdorin një metodë të ngjashme për të mbrojtur gjyqtarët, si ai në Kosovë. Në Shqipëri, kuadri ligjor parashikon për mbrojtjen e gjyqtarëve në raste të caktuara kur është i kërcënuar, ndërsa në Serbi, kreu i këshillit gjyqësor ka të drejtën të kërkojë mbrojtje të posaçme për gjyqtarët, familjet e pronën e tyre.
Disa gjyqtarë shprehën mbështetje për marrëveshjen.
"Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ajo tregon se kujdesen për sigurinë e gjyqtarëve. Mbështesim marrëveshjen që do të na bëjë të ndjehemi më të sigurt, më rehat në punë. Do të ketë gjithashtu një ndikim mbi cilësinë e sistemit gjyqësor në Kosovë", tha për SETimes Nikolla Komani, gjyqtar i gjykatës komunale në Gjakovë.