Gjyqtari i çështjes “Xhakja” sfidon sërish KLD-në, s’paraqitet në mbledhje
Javën e ardhshme masa disiplinore për Neritan Tabakun
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shtyn sërish shqyrtimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku. Shkak për këtë u bë mungesa në seancën e KLD-se e gjyqtarit Tabaku. Ky i fundit kishte paraqitur një raport mjekësor, duke e justifikuar mungesën e tij me gjendjen jo të mirë shëndetësore. Presidenti i Republikës dhe njëherazi kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani u shpreh se, edhe nëse mbledhjen e së premtes së ardhshme Tabaku nuk do të paraqitet vetë, duhet të dërgojë një përfaqësues të tij në KLD në mënyrë që të vijohet me marrjen e masës disiplinore ndaj tij.
“Të detyruar nga procedura dhe ligji për ta patur prezent shtyhet dhe mbledhja e radhës do të bëhet të premten e ardhshme në orën 11.00 vetëm për shqyrtimin e propozimit të ministrit. Zoti Tabaku nëse edhe mbledhjen e ardhshme është i paaftë, duhet të marrë masa të dërgojë një avokat ose përfaqësues të tij”, u shpreh presidenti Bujar Nishani. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi prej kohesh ka depozituar në KLD kërkesën për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Durrësit. Ky i fundit nuk është paraqitur dy herë kur është thirru si person nën hetim as në Prokurorinë e Tiranës, duke përdorur kështu strategjinë e bojkotit edhe në organin e akuzës.
Nuk dihet se si do ta zgjidhë KLD shqyrtimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit që nxori nga burgu vrasësin e kryekomisar Adem Tahirajt, nëse ai nuk paraqitet vetë po nuk dërgon as përfaqësuesin e tij. I pezulluar nga detyra, Tabaku dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi nga burgu shtetasin Ilir Xhakja, i akuzuari kryesor për vrasjen e Shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, disa javë më parë. Shtetasi Ilir Xhakja, sipas policisë, një person me precedentë të theksuar penal, ishte liruar pak kohë me parë nga burgu me një vendim të Gjykatës së Durrësit, pas pushimit të akuzës për vrasjen e një shtetasi, ngritur ndaj tij nga prokuroria e Durrësit. Xhakja, i arrestuar tashmë, akuzohet se është autori kryesor i vrasjes me armë zjarri të kryekomisarit Adem Tahiraj, në Sukth të Durrësit.