Presidenti Nishani: Vlerësim transparent dhe përzgjedhje profesionale për gjyqtarët

Mblidhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi dje projektvendimin lidhur me procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi në diskutimin e tij, rëndësinë e vendosjes së rregullave të qarta, për realizmin e një procedure sa më transparente për publikun, në përzgjedhjen e kandidatëve që do të kryejnë funksionin e gjyqtarit në Gjykatat Administrative. Sipas tij, gjyqtarët duhet të jenë persona me integritet.
“Nisim një proces shumë të rëndësishëm për të krijuar një trup me integritet në Gjykatën Administrative”, u shpreh kreu i KLD-së.
Nishani e vuri theksin tek pavarësia e drejtësisë e cila përbën një rëndësi parësore dhe shtoi se ky institucion nuk do të tolerojë asnjë rast që nuk i shërbehet qytetarit.
Nga ana e tij ministri i Drejtësisë, Edurad Halimi theksoi se konkurrimi nuk prek cilësinë e gjyqtarëve, i cili nuk do udhëhiqet nga parimet shkollore por nga parimet e një procesi të drejtë dhe të pavarur.
“Besoj se do kemi pjesëmarrje të gjerë të gjyqtarëve, i cili do krijojë gjykata profesioniste dhe gjykata cilësore ne vend”, theksoi ministri Halimi.
Ndërsa zëvendës/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa pasi informoi në lidhje me procesin e hartimit të projektvendimit, theksoi se Këshilli është i angazhuar dhe ka gjithë predispozitën që procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatën Administrative të Apelit, të bazohen në parimet e ligjshmërisë, të transparencës dhe të meritokracisë.
KLD vijoi me shqyrtimin e dy kërkesave të Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve. Konkretisht, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Ministrit e Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Mimoza Margjeka, ndërsa rrëzoi kërkesën e Ministrit e Drejtësisë për “Shkarkim nga detyra” të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Vjola Canaj.
Diskutimet e Këshillit vijuan me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit të Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 7 gjyqtarë. Mbas realizimit të procedurës së votimit të këtij projekt akti, në përfundim u vendos vlerësimi “shumë mirë” për gjyqtarët: Liljana Baku (Sulollari) – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Ilirjana Olldashi – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Rexhina Merlika – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, Etleva Temo – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, Nafije Curri – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, Gentiana Muça – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe vlerësimi “mirë” për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, Ahmet Jangulli.
“Gjykata Administrative”, arritje e rëndësishme për sistemin e drejtësisë
“Ngritja e Gjykatës Administrative është një arritje shumë e rëndësishme për sistemin e drejtësisë”.
Kështu u shpreh presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbledhjen e djeshme, ku u mor në shqyrtim projektvendimi mbi rregullat dhe kriteret e përzgjedhjes së trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative. “Gjykata Administrative është një nga arritjet shumë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, por mbi të gjitha për shërbimin ndaj publikut, qytetarit e veçanërisht ndaj botës së biznesit”, tha zoti Nishani.
Kreu i Shtetit shprehu angazhimin e KLD-së për realizimin e një procesi transparent në përzgjedhjen dhe vlerësimin e trupës gjyqësore, e cila do të shërbejë në Gjykatën Administrative, e ngritur pak kohë më parë. “Tashmë, ne nisim një proces të rëndësishëm për të krijuar një trupë profesionale dhe me integritet në Gjykatën Administrative”, tha presidenti i Republikës, Bujar Nishani.