Gjysma e komunave të PDK-së probleme me ligjin

Shtatë nga 14 kryetarët e komunave të udhëhequra nga PDK-ja janë të dënuar, të akuzuar dhe duke u hetuar për vepra kriminale dhe korrupsion. Në shtatë e ka çuar numrin kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, i cili po ashtu vjen nga partia në pushtet, i akuzuar së fundmi nga EULEX-i për shpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV-ja.
I dalë fitues nga zgjedhjet lokale të 2009-shit, Xhabir Zharku u bë një nga rastet më eklatante të ikjes nga drejtësia e një zyrtari publik, i cili është i dënuar me tre vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, por ai refuzon të vuajë dënimin e shqiptuar.
I ulur në bankën e të akuzuarve ka qenë edhe Bajrush Xhemajli pasi në një aksident komunikacioni kishte shkaktuar vdekjen e një personi. Xhemajli për më shumë se një vit i ka rezistuar vuajtjes së dënimit. Pas disa ankesave, Gjykata Kushtetuese vendosi që rasti të kthehet në rigjykim. Por hiç më mirë punët më organet e drejtësisë nuk i ka pasur dhe nuk i ka as Nexhmedin Arifi, kryetari i Vitisë, që po ashtu është nga radhët e PDK-së. Aktakuzës nuk i ka shpëtuar as i forti i PDK-së, Sami Lushtaku.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Lushtakut dhe pronarit të ish-të përditshmes “Infopress”, Rexhep Hoti, pasi dyshohet të kenë kryer vepra penale. Zyrtari tjetër i Partisë Demokratike nën hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare është kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa. Por fat të njëjtë sikurse edhe gjashtë kryetarët e tjerë të PDK-së ka edhe kryetari i Drenasit, po ashtu nga PDK-ja, Nexhat Demaku, kundër të cilit ka nisur një proces gjyqësor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëkryerje me dy zyrtarë të tjerë komunalë./Indeksonline/