Gjysmë milioni për 18 filma

Gjashtë filma në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të gjatë, pesë në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të shkurtër, dy në kategorinë e filmit dokumentar, dy në atë të filmit të animuar si dhe tri projekte për zhvillim skenari është bilanci i filmave që do të subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Gjithsejtë janë tetëmbëdhjetë filma, të cilëve iu është ndarë një shumë prej 500 mijë euro.
Kjo shumë ka bërë që prej 43 projekteve që kanë aplikuar, të përzgjidhen jo më shumë se tetëmbëdhjetë filma. Prej momentit që nënshkruhet kontrata, fituesve u duhen gjashtë muaj që të fillojnë me xhirimin e filmit ndërsa kohëzgjatja e projektit është dy vite. Megjithatë, krahasuar me vitet e kaluara, numri i filmave që do të subvencionohen është më i madh.
Arben Zharku, kryesues i Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës, u shpreh se kuota e përkrahjes varet edhe nga natyra e projektit dhe eksperienca e regjisorit. “Kësaj radhe kemi pasur më shumë aplikacione të regjisorëve të rinj dhe debutues dhe kemi pasur mundësi që të përkrahim më shumë projekte. Personalisht mendoj që për shkak të numrit të madh të regjisorëve të rinj në Kosovë duhet të mendohet më shumë në filma me buxhet të ulët që të prodhohen më shumë filma në Kosovë dhe të kenë mundësi që më shumë projekte të përkrahen nga QKK-ja”, tha Zharku.
Ai shtoi se producentët nuk duhet të presin që vetëm me paratë e QKK-se t’i realizojnë filmat, mirëpo të mendojnë edhe në gjetjen e fondeve në vendet evropiane ku Kosova mund të aplikojë për këto fonde. Sipas tij, është vështirë të mendohet që në Evropë të prodhohen filma vetëm me fondet nacionale.
Ndryshe prej viteve të kaluara, sivjet janë subvencionuar edhe filma që janë në regji apo skenar të të huajve. Zharku tregon se që nga ky vit është miratuar edhe një rregullore për financimin e filmave që jodomosdo kanë lidhje me Kosovën, mirëpo një pjesë e ekipës edhe ko-producenti është nga Kosova. “Këto projekte mund të financohen në maksimum 10 përqind e vlerës së projektit ose në maksimum 50 mijë euro.
Kjo praktikë ndihmon shumë në lidhjen e koproduksioneve me vendet e ndryshme dhe në të njëjtën kohë e fut Kosovën në koproduksion në këto filma, pastaj aktorët kosovarë do të kenë mundësi që të luajnë në më shumë filma ndërkombëtarë, gjithashtu një rast i mirë edhe për ekipën tjetër artistike”, tha ai. Zharku shtoi se nëse një film i huaj fiton në QKK, atëherë se paku 60 përqind të buxhetit duhet ta shpenzojë në Kosovë dhe kjo sigurisht ngjall interesimin e madh të produksioneve që ta shohin Kosovën si një vend të volitshëm për të xhiruar. “Shpresojmë që me këto përkrahje që ia kemi bërë këtyre filmave koproducentët kosovarë të arrijnë suksese ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë të krijojnë eksperiencë”, tha ai.
Ndërkaq, Ilire Vinca-Çelaj, kryetare e jurisë vlerësuese, në përbërje të së cilës kanë qenë edhe Jeta Xharra, skenariste dhe gazetare, Trimor Dhomi, kompozitor, Liridon Cahani, producent, Dritan Hoçi, producent nga Shqipëria, Anisa Ismajli, aktore dhe Zymer Kelmendi, skenarist, u shpreh se ka pasur mjaft prurje, me të cilat është ndarë shumë e kënaqur. Ajo shtoi se prej të mirëve është dashur të përzgjidhen më të mirët.
“Fatkeqësisht kemi qenë të detyruar të zgjedhim dhe t’iu japim pak fonde për shkak se dihet që Kosova ende është një treg shumë i varfër por edhe duke pasur parasysh që vetëm 500 mijë euro është dashur të ndahen e të copëtohen nëpër produksione dhe nëpër filma, kjo e ka pamundësuar ndoshta vlerësimin edhe të shumë skenarëve tjerë që më të vërtet kanë qenë të mirë por prej të mirëve është dashur të zgjedhim më të mirët”, tha ajo.
Duke folur për tematikën e filmave, Vinca-Çelaj tha se nëse i analizon të gjithë filmat në përgjithësi secili e ka natyrën e vet. Ngjarjet, u shpreh ajo, janë të ndryshme, ka tema shqiptare, ka tema që nuk janë kombëtare në kuptimin e vendit që përcakton gjeografikisht apo temës në vetvete. “Janë tematika të ndryshme, për shembull filmi fitues ‘Mbretëria e therrave’ të Anton Ndrecajt është shquar si një ngjarje e cila të tërheq prej faqes së parë kur e lexon skenarin, të fut brenda një bote në të cilën është një lloj misteri ku paralelisht aktorët luajnë dhe ndodh një ngjarje në rrafshin e dytë, e cila në të vërtet bën një tërheqje interesante, e cila shquhet për nga misteri i dyfishtë”, tha ajo.
Ky film, sipas saj, ka një dinamikë në përshkrimin e ngjarjes, vërehet një tendencë moderne e tregimit apo rrëfimit të ngjarjes, një kombinim interesant i roleve dhe ndoshta kjo, sipas saj, ka bërë që të gjithë anëtarëve të jurisë t’u pëlqejë ky skenar dhe ta vlerësojnë për të fituar përkrahjen edhe nga Bordi.
Kryetarja e jurisë shtoi se vërehet një tendencë që kësaj here QKK-ja u ka dhënë hapësirë të madhe edhe krijuesve të rinj.
Filmat fitues
Filmi artistik i metrazhit të gjatë:
‘Mbretëria e Therrave’, Anton Ndrecaj, 113.000 euro.
‘Ngasësi’, Arben I. Kastrati dhe Valter Lucaj, 110.000 euro.
‘Gold’, Bujar Alimani, 50.000 euro.
‘Gone back’, Ernest Meholli, 30.000 euro.
‘Dashuria dhe të tjera raste vdekjesh’, Miguel Angelo Pate, 10.000 euro.
‘Sworn Virgin/Virgjëresha e përbetuar’, Franceska Virgin e Laura Bispuri, 10.000 euro.
Projektet për zhvillim skenari:
‘Histori maje kulmi’, Gazmend Nela, 3,500 euro.
‘Unë të dua Ana Andrea’, Arsim Haliti, 3,500 euro.
Filmi artistik i metrazhit të shkurtër:
‘Kanarinat e dinë’, Kaltrina Krasniqi dhe Genc Salihu, 13.500 euro.
‘Përqafimi i fundit’, Lulzim Guhelli, 13.000 euro.
‘Kali i shkumësit’, Alban Ukaj dhe Yll Çitaku, 12.000 euro.
‘Ballkoni’, Lendita Zeqiraj, 10.000 euro.
‘Çlirimi’, Burim Haliti, 9.000 euro.
Filmi dokumentar:
‘Vatër/Atdheu’, Pamela Cohn, 25.000 euro.
‘Toka e Grave’, Orhan Kerkezi, 10,100 euro.
Për zhvillim skenari:
‘Projekti: Nëna dhe Hëna’, Ilir Shaqiri dhe Mahir Musliu, 2,500 euro.
Filmi i animuar:
‘Fija e barit n’beton’, Dritëro Mehmetaj, 14.000 euro.
‘Alone’, Faton dhe Jeton Lakna, 13.000 euro.