Gjysmëliria për të burgosurit, PS: Ka qëllim elektoral
TIRANË- Opozita hedh dyshime të forta se krijimi i mundësisë ligjore për lirimin nga burgjet me kusht të të gjithë të burgosurve jo të rrezikshëm bëhet për qëllime elektorale. Bazë për këtë dyshim është bërë, së pari, procedura e ndjekur për hartimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale” nga Ministria e Drejtësisë dhe koha në të cilën e ka paraqitur qeveria për miratim në Kuvend. Duke marrë shkas nga diskutimi i këtij drafti në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko ka kërkuar shpjegime nga mazhoranca dhe drejtori i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Miran Kopani, se përse një draft i tillë që është hartuar që në kohën kur këtë ministri e drejtonte Aldo Bumçi vjen për miratim në Kuvend vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve. Sipas tij, masa e madhe e të burgosurve që pritet të preken drejtpërdrejtë nga efektet e zbatimit të një ligji të tillë, natyrisht që e bën atë të dyshuar se po bëhet për përfitime politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Çështje tjetër që ngrita, ishte se është e vërtetë që ka filluar kur ka qenë zoti Bumçi por tani vjen gati gjashtë muaj para zgjedhjeve si propozim. Prandaj ne këtë shqetësim e kemi se një nismë e tillë ndërmerret edhe për efekte elektorale”, - tha Majko gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve. Por një dyshim i tillë është konsideruar i pabazë nga ana e drejtorit Kopani, i cili megjithëse është munduar t’i shmanget komenteve politike, është shprehur se ardhja e këtij ligji vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve, është një rastësi. “Janë pjekur kushtet që edhe ne ta kemi këtë lloj shërbimi prove. Ajo që thoni ju është koençidencë, pasi s’ka të bëjë me zgjedhjet”, - tha drejtori i Kodifikimit, Miran Kopani, ndërkohë që sipas relacionit që shoqëron këtë draft, vetëm për këtë vit mund pritet të përfitojnë 400 të burgosur. Por deputetët e së majtës kanë shkuar edhe më tej në skepticizmin e tyre, se shteti ynë nuk jep garancitë e duhura se futja e sistemit të gjysmëlirisë për të dënuarit mund të ketë sukseset e pritshme. Edhe një herë Majko ka theksuar se sistemi ynë i drejtësisë dhe institucionet shqiptare nuk japin garanci nëse një ligj i tillë do të zbatohet në mënyrë të drejtë, pasi, sipas tij, projekti i paraqitur lë mundësi të mëdha dënimin alternativ ta përfitojnë ata që kanë lekë për të paguar institucionet përgjegjëse. “Kjo është një gjysmë amnisti por unë shtroj pyetjen, a është sistemi ynë gati për këtë lloj dënimi? Kjo pyetje më lind, duke pasur parasysh dhe çështjet e trajtimit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, sepse unë që kam para, marr liri me kusht, ndërsa ti që s’ke para, shkon në burg”, - u shpreh Majko. Ndërkohë nuk kanë munguar edhe qëndrime të tjera dyshuese, siç është rasti i deputetit Spiro Peçi, i cili ka vlerësuar se me kompetencat që merr struktura e re e Shërbimit të Provës për hetimin e të dënuarit jashtë dyerve të burgut, ndërhyn në çështjet dhe punët e prokurorit dhe të Policisë Gjyqësore. “Nga përmbajtja shikoj se nga një shërbim prove të jepet përshtypja se e bëjmë një organizëm që gati ndikon në dhënien e drejtësisë. Konkretisht vihet detyrimi ose e drejta e shërbimit të provës që me kërkesë të prokurorit të japi raport për vlerësimin e rrethanave shoqërore për të ndihmuar marrjen e vendimeve gjatë fazës paraprake dhe unë po them të vlerësoj prokurorin, nëse duhet kërkuar masa e arrestit apo jo. Ç’punë ka shërbimi me këtë? Këto janë detyra të prokurorit dhe të Policisë Gjyqësore, që të hetojë në mënyrë të plotë dhe gjithanshme për cilindo”, - tha Peçi. Për këtë arsye, deputetët e opozitës kanë kërkuar që projektligji i paraqitur të miratohet vetëm në parim, për të marrë më pas gjatë diskutimit nën për nen edhe mendimin e Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.