E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e Lohan, përplasen PD e PS

 

Dy krerët e grupeve parlamentare PD e PS reagojnë pas kërkesës së Ambasadorit të KE-së

TIRANË- Shqetësimit të Ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme dy krerët e grupeve parlamentare të partive kryesore, PD e PS. Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj deklaroi dje se përgjegjësia për kartat e identitetit, por edhe për përfundimin në kohë të reformës zgjedhore i mbetet mazhorancës. “Vlerësojmë deklaratën dhe gjithë nxitjen dhe mbështetjen që BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë i kanë dhënë procesit të reformës elektorale, ashtu si për gjithë reformat e tjera. Berisha që dje u ka kërkuar shqiptarëve të votojnë me karta identiteti. Kryeministri ka filluar fushatën elektorale, por përpara se të nisë fushatën, duhet të garantojë procesin, përfundimin në kohë të tij, dhe e kam fjalën për reformën e Kodit dhe infrastrukturën gjithashtu. Kjo nuk bëhet duke u kërkuar shqiptarëve të votojnë me karta identiteti, po duke ua garantuar kartat e identitetit”,- tha Leskaj. Dy ditë më parë, Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, kërkoi përfundimin sa më shpjet të Kodit të ri Zgjedhor si dhe përgatitjen në kohë të kartave të identitetit. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje se Kodi Zgjedhor po ecën me ritme të pëlqyeshme dhe se maxhoranca është e angazhuar në këtë proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›