Fatura, një i burgosur kushton 56 mijë lekë
TIRANË- Barra e rëndë financiare që i shkakton buxhetit të shtetit mbajtja e një të dënuari në burg, duket se ka detyruar qeverinë të ndërmarrë nismën për të “hapur” dyert e burgjeve për të gjithë atë masë të burgosurish që nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Një fakt i tillë behet i ditur nga vetë qeveria, e cila në relacionin shoqërues të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale”, thekson se nisma për dhënien e dënimeve alternative synon që të reduktojë në një masë të konsiderueshme shpenzimet që shteti kryen për mbajtjen në ambientet e burgut një të burgosur. Kështu, sipas relacionit shoqërues evidentohet fakti se nga statistikat e kryera, për një të burgosur, shteti harxhon mesatarisht 55.857 lekë në muaj, shifër për të cilën faktikisht kanë shprehur rezervat e tyre dhe gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve ku ky draft është duke u diskutuar. Kjo shifër merr vlera të konsiderueshme po të kihet parasysh se në rast se miratohet një draft i tillë, pritet të përfitojnë dënime alternative ose lirime me kusht afërsisht 400 të burgosur në vit. Një skemë e tillë sjell fitime ekonomike, pavarësisht shpenzimeve që duhet të kryejë nga ana tjetër shteti për pagesat dhe dietat e punonjësve që do të punësohen në zyrat e Shërbimit të Kontrollit që do të ngrihen pranë çdo gjykate rajonale. Gjithashtu, një nismë e tillë pritet të sjellë efekte konkrete edhe në reduktimin e fenomenit të mbipopullimit të burgjeve, një problem ky i evidentuar edhe në raportet e ndërkombëtarëve për të drejtat e njeriut për Shqipërinë. Projektligji i paraqitur në Kuvend është pjesë e paketës ligjore për krijimin dhe funksionimin e plotë të sistemit të dënimeve alternative në Shqipëri. Ai bënë një zbërthim të hollësishëm dhe zbatim të ndryshimeve përkatëse që pritet t’i bëhen Kodit Penal nëpërmjet një tjetër projektligji që është paraqitur po ashtu në Kuvend. Për herë të parë futet në lojë Shërbimi i Provës, i cili do të jetë organi shtetëror që mbikëqyr ekzekutimin e dënimit alternativ dhe ndihmon personin e dënuar në kapërcimin e vështirësive për ri-integrim shoqëror. Tek dënimet alternative përfshihen rastet kur i dënuari duhet të kryejë një punë për interes publik, detyrë e cila caktohet nga Gjykata me kërkesë të Shërbimit të Provës.