E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyste Vulaj vdes për komplimente...

Ekstravagante si gjithnjë, këngëtarja malazeze rrëfen mbi projektet e saj më të reja dhe kërkesat e panumërta për koncerte, ku më i fundit ishte ai i pak ditëve më parë në plazhin e Golemit

E veshur me një fustan që nxirrte në pah gjithë linjat e saj trupore, këngëtarja nga Ulqini ka ngritur në këmbë gjithë turistët e plazhit të Golemit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi kur ajo ngjitet në skenë, pakkush mund t’i rezistojë komportimit të saj skenik. Aq më tepër kur këngëtarja brune nis të këndojë live këngë si “Më ke borxh”, “Vdeksha për ty” apo “Du me të nxan jaran”, ku adrenalina arriti maksimumin. Nuk i intereson se çfarë mendojnë të tjerët në lidhje me sjelljet e saj prej kokete, madje arrin gjer aty, sa thotë: “Nuk ma ndjen fare se çfarë mendojnë të tjerët. Kur performoj, skena është e imja. Pastaj asgjë nuk ka të paguar kur marrë komplimente nga fansat, aq më tepër që puna ime është e tillë dhe nuk duhen marrë parasysh paragjykimet”, thotë ajo. Nga ana tjetër, malazezja është një familjare e devotshme, duke pasur parasysh martesën e saj prej dhjetë vjetësh me Sokolin, me të cilin kanë edhe një vajzë. Raportin e saj ajo e përkufizon në këtë mënyrë: “Jam shumë e lumtur me bashkëshortin tim. Një faktor që ka ndihmuar edhe më shumë raportin tonë, është se Sokoli ka qenë gjithnjë krahu im i djathtë”, shpjegon ajo. Provokuese sa nuk mban më, Gjystja jo vetëm që tërheq vëmendjen e publikut, por është kthyer edhe në një ndër më të kërkuarat në tregun muzikor. Një gjë të tillë e tregon më mirë edhe axhenda e ngjeshur e koncerteve. Me të mbaruar në Durrës, këngëtarja u nis për në Ulqin. Për sa u takon projekteve të saj muzikore, këngëtarja shprehet se për momentin koncertet janë prioriteti i saj, por kjo nuk e ka ndalur për të sjellë krijimin e saj më të fundit. “Vdeksha për ty” është kënga më e fundit e prezantuar nga këngëtarja malazeze, që shoqërohet edhe me një videoklip të nxehtë, ku Gjystja duket shumë më e re. Mesa duket, për bukuroshen mosha është një koncept tejet sipërfaqësor, sepse edhe në moshën 31-vjeçare ajo gëzon linja perfekte, që shumëkush mund t’i ketë zili. Sekreti është te kujdesi i vazhdueshëm për paraqitjen e saj të jashtme. Me përfundimin e stinës së ngarkuar, ajo rrëfen se do të rikthehet me videoklipe të reja. Ndërkaq, gjatë koncertit në Golem të gjithë kanë dëgjuar me ëndje këngët e saj më të fundit, por edhe ato të kënduara disa kohë më parë, ndërsa hutoheshin nga pamja që kishin para syve. Pasi e ka konsumuar veshjen e saj të parë dhe dëshironte të vinte ndryshe, Gjystja në kohën e disa minutave pushim ka përfituar nga rasti për t’u ndërruar. Këtë herë një tjetër veshje ekstravagante, nga bluja në të zezë, ku shoqëruar me gjestet “e nxehta” të këngëtares, pamja që ofrohej ishte jo edhe aq e zakonshme për publikun durrsak. Deri më tani këngëtarja ka realizuar katër albume. Përveçse këndon, Gjystja shkruan edhe tekste. Merret edhe me dizajn grafik. Po ashtu merret me rregullimin e montazhit të videoklipeve, një prej të cilëve e ka punuar edhe vetë. Një tjetër temë shumë interesante janë edhe “verdhushkat” që ajo fiton dhe dihet që Gjystja është një ndër ato që kërkojnë jo pak para në një koncert. Sezoni i verës shumë i ngjeshur dhe nisur nga numri i konsiderueshëm i koncerteve që zhvillohen në qytete të ndryshme, bën që vetëm në Shqipëri Gjystja të jetë vërtet e kënaqur nga shuma e të hollave që arrin të fitojë, falë investimit që ka bërë për imazhin e saj. E ndërsa nuk i pëlqen të flasë për këtë, ajo gjithmonë shprehet: “Secili dëshiron të ketë sa më shumë para. Përfitimi më i madh për mua është ndjenja shpirtërore, ku komplimentet e njëpasnjëshme vijnë nga adhuruesit e mi”. Të ardhurat që ka fituar gjatë kësaj vere e kanë shtyrë këngëtaren drejt një vendimi të ri. Ajo ka vendosur të mos këndojë nëpër kafene të thjeshta, por vetëm në koncerte, salla të ndryshme, diskoteka moderne që janë në mbarë botën. Herë-herë ajo e gjen veten edhe tek ndonjë familje që e ka zgjedhur të këndojë në dasmën e tyre, por kohëve të fundit është shumë pak prezente, pasi datat nuk i ka të lira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›