E Diel, 1 Nëntor 2026

Gligorovi dhe Gjeorgjevski të përgjigjen për varrezat

Eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu thotë se nëse gjendet ndonjë varrezë masive në Maqedoni, atëherë përgjegjësia e shtetit është shumë e madhe. “Nëse ndodh që të paraqitet ndonjë varrezë, atëherë përgjegjësia e shtetit është evidente. E tash, si do të jetë ajo përgjegjësi, Maqedonia e ka ditur ose nuk e ka ditur, por nuk mund të mos dijë se në territorin e saj janë caktuar vende të veçanta për varreza të këtilla. Natyrisht, Maqedonia jo vetëm se do të marrë pikë negative, edhe nga Evropa edhe nga të gjithë faktorët relevantë, por mund të ketë edhe përgjegjësi konkrete”, thotë Kadriu për “Lajm”.

Sipas tij, meqë në Maqedoni jetojnë dy etnikume prej të cilave varet edhe zhvillimi dhe ekzistenca e shtetit, kjo do të ketë edhe një lëkundje të theksuar të marrëdhënieve ndëretnike të Maqedonisë, të cilat mjerisht edhe aktualisht ecin në këmbë xhami.

“Nëse ka, do të hapet një temë me shumë dilema, me shumë pyetje, temë që do të kërkojë përgjegjësi konkrete edhe nga shteti dhe organet më të larta të shtetit, përfshirë këtu presidentin, qeverinë, parlamentin dhe ministrinë përkatëse”, theksoi Kadriu.

Ai thotë se së pari duhet zgjidhur dilema nëse ka ose jo varreza masive të kosovarëve dhe për këtë Maqedonia duhet të vërë në dispozicion të gjitha mjetet juridike. “Nëse ka një pikë dyshimi, të gjitha institucionet e shtetit duhet t’i vënë në lëvizje dhe në dispozicion mjetet e tyre juridike, politike, ekonomike shtetërore që kjo dilemë të pastrohet”, thotë ai.

Kohëve të fundit ka spekulime nga më të ndryshmet për vendin se ku mund të jenë këto varreza masive. Supozohet se shqiptarët e Kosovës janë varrosur diku rreth lumit Lepenc që vjen nga Kosova e derdhet në lumin Vardar. Supozime të tjera janë se ata mund të jenë varrosur në Karadakun e Shkupit, më saktësisht rreth fshatrave Kuçevishtë e Pobozhe që janë të banuara kryesisht me banorë të etnitetit serb.

Takimi i së martës mes zëvendësministrave të jashtëm të Maqedonisë, Petrov dhe asaj të Kosovës, çitaku, i kanë hapur edhe këto tema. Petrov kishte deklaruar se është i gatshëm që Maqedonia ta mbyllë sa më shpejt këtë proces, pa lënë shumë hapësirë për politizimin e saj.

çitaku dhe Petrov kanë theksuar edhe nevojën për formimin e grupeve punuese për mbylljen e të gjitha këtyre dyshimeve. Varreza masive e hapur tani do të nxjerrë të vërtetën, a ishte Maqedonia vatra e ushtarëve dhe rezervistëve serb gjatë luftës së Kosovës dhe cila ishte lidhja ose plani i këtyre dy shteteve në kurriz të shqiptarëve?

Analistët në marrëdhëniet diplomatike pohojnë se ky është një gjemb i lënë nga Serbia për prishjen e raporteve Maqedoni – Kosovë, në të cilën kësaj radhe do ta pësojë Shkupi zyrtar. /lajm/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›