E Shtunë, 31 Tetor 2026

Globi mes krizës, ndihmave dhe polemikave

02-08-2013 / Nga Ilirian Dahri

Ka disa vite që mendohej se shumë prej vendeve jo europiane nuk ishin më dakord që të ndihmonin nga ana financiare vendet e eurozonës që janë vështirësi dhe tashmë ky është një fakt i pamohueshëm në panoramën ekonomike planetare. Së fundmi kjo po vërehet me një vend si Brazili, që në kohën kur po përgatitet paketa e re e ndihmës për vendin fqinj të Greqisë, ku qeveria braziliane ka dalë tërësisht kundër përfshirjes të Fondit Monetar Ndërkombëtar në shpëtimin e vendeve të eurozonës të cilat paraqesin vështirësi. Kjo “luftë” ka nisur prej vitesh (që në fillim të krizës) kur përfaqësuesi i Brazilit në këshillin e Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili nga ana e tij ushtron fuqinë e votës edhe për dhjetë vende të tjera të Amerikës Latine dhe të Karaibeve ka mbështetur se nuk duhet ndërhyrë për të ndihmuar Eurozonën. Drejtori ekzekutiv i Brazilit, Paulo Nogueira Batista, pas raportit të stafit të tij ka vërejtur së gropa e 11 miliardë eurove për shtetin fqinj të Greqisë përbën nëj kundërshtim të rregullave të vetë Fondit Monetar Ndërkombëtar që  parashikon që ndërhyrja është e lejueshme vetëm kur një vend ka një mbulim financiar për 1 vit. Njihet nga të gjithë se Paulo Nogueira Batista është një ekonomist shumë kritik ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar madje shumë më përpara se presidenti Lula ta emëronte në këtë detyrë dhe shumë prej analistëve nuk çuditen aspak kur ai deklaron sot se sipas tij ndihma që po i jepet Greqisë është një tabu absolute në historinë e këtij  institucioni me kaq histori. Natyrisht këto polemika nuk kanë lindur në këto kohë dhe nuk kanë ardhur  vetëm nga një vend si Brazili por edhe nga vende të tjera me ekonomi emergjente sepse sipas tyre Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka njohur ende  kuotat e këtyre vendeve dhe peshën e tyre të madhe në ekonominë botërore. Në fakt kjo e fundit po rishikohet nga Kongresi amerikan dhe nuk është ende e qartë se si do të ecet në këtë drejtim. Po flitet gjithashtu se rasti i Greqisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar po prodhon një dëm edhe në politikën gjermane që gjendet dy muaj përpara zgjedhjeve dhe natyrisht kancelarja gjermane  po kërkon të shmangë problemin e krizës së eurozonës që mund të “shqetësojë” zgjedhësit gjermanë të cilët janë tërësisht kundër shpëtimeve të vendeve të eurozonës që janë në vështirësi. Në fakt gjithmonë dhe më shumë kancelarja gjermane por nga ana tjetër edhe ministri i Financave, Volfgang Shauble po përsërisin se Greqia nuk ka nevojë për një strukturim të borxhit të saj ndoshta edhe për faktin se borxhi është në duart e Qeverive europiane dhe çdo humbje do të ishte dhe një humbje për ata që kontribojnë. Natyrisht pa ndihmat e ndërkombëtarëve situata ekonomike në eurozonë do të ishte tejet shqetësuese. Ndihmat e ndërkombëtarëve  në ishullin mesdhetar të Qipros po japin pritshmërinë e duhur madje vetë dërkombëtarët kanë botuar së fundmi një analizë pozitive për gadishmërinë që kanë shfaqur autoritetet e vendit të vogël mesdhetar për të rimëkëmbur ekonominë e tyre. Një raport ndoshta i klasifikuar si raporti i parë pozitiv që prej kohës kur ishulli ka marrë ndihmën nga Bashkimi europian dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Analiza jonë dëshmon se Qipro është në linjë me programin e rimëkëmbjes. Autoritetet qipriote kanë arritur progres në arritjen e objektivave të planifikuara” - kështu është shprehur Delia Velculescu, kreu i misionit të Fondi Monetar Ndërkombëtar. Komisioni europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka qendrore europiane përfaqësojnë kreditorët ndërkombëtarë të Qipros dhe në fillim të vitit i kanë dhënë ishullit të vogël mesdhetar një hua prej 10 miliardë eurosh. Nga ana tjetër vetë qeveria  qipriote  duhet që të ristrukturojë sektorin e saj bankar dhe të rimëkëmbë ekonominë. Ky raport ka bërë të mundur që kreditorët të vendosin edhe për një paketë tjetër ndihme prej 1,5 miliardë euorsh që do t’i jepet në mesin e shtatorit. Natyrisht sipas zonjës Velculescu e ardhmja e vendit është akoma e pasigurtë dhe rreziqet janë të shumta por nga ana tjetër pritet një rritje e ekonomisë të ishullit të vogël mesdhetar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›