E vetmja gjë e pa falsifikuar në Shqipëri mbeten plumbat
Robert Qafzezi
-Vrasje në diell, vrasje në hije, vrasje në bulevard,vrasje në rrugicë, vrasje në makinë, vrasje mbrapa shpine, vrasje me telefon, vrasje me sëpatë, vrasje me thikë, vrasje me çekiç, me jastëk, me kallash.., vrasje me plumb...!Kjo e fundit më “klasike” si vrasje! “Shqiptarët vazhdojnë të luajnë “theatër” vetëm se plumbat janë të vërtetë!”- ka thënë dikur Kadareja. Por kjo pjesë tragjike vazhdoi tepër gjatë...dhe duket sikur nuk do të ketë kurrë fund...nuk i duket fundi krimit, këtij krimi “falas”! “Po policia ç’bën”- pyet mileti në mënyrën më normale, duke patur gjithmonë mendimin naiv e abstrakt që shteti , ky “grupim njerëzish”, i zgjedhur me besimin e tij duhet të përgjigjet për mbrojtjen e qytetarëve...Po! Po kur vetë kryetari i shtetit lëviz me një karvan automjetesh të blinduara dhe ndalon i irrituar kur ndonjë individ i papunë e i pashpresë, e qëllon me ndonjë guriçkë zhavorri se i duket si një “ogur” i keq për të ardhmen e tij, apo kur shikon siluetat e policëve që ngjajnë akoma me karikaturat e te madhit Zef Bumbçi.., përgjigja për mbrojtjen e individit kundra krimit merr dhenë... Ata pak kuadro policie që kanë bërë edhe shkollat përkatëse jashtë dhe kanë edhe një nivel kulturor të pranueshëm për të drejtuar organet e policisë e të rendit, sot janë kthyer në “biznesmen të suksesshëm” dhe pasi kanë zaptuar prona nëmënyrë të paligjshme bredhin e kapardisen me “Hammer”,duke përçmuar e tallur edhe fshatarin hallexhi që ka veshur uniformën e policit nga halli e varfëria...Do të thoja që faji nuk bie thjesht mbi policinë, e cila duhet patjetër të reformohet e të depolitizohet deri në fund, por së pari bie përgjegjësia tek drejtuesit shtetërorë që kanë parë tek kuadri i policisë bindjet politike, apo më mirë “tifozllëkun” politik se sa aftësinë mbi profesionin... Krimi i organizuar ka dhe është gjithmonë në avancë me policinë, kudo qoftë ajo në çdo vend të botës, prandaj duhet parë me prioritet krijimi i shkollave të specializuara si edhe bashkëpunimi me specialistë të huaj të shkollave me emër në botë. Duhet t’i jepet fund amatorizmit në polici, duke i dhënë prioritet vetëm aftësive profesionale...Polic, është një profesion tepër i veçantë, e i nderuar, të cilin nuk mund ta bëjë kushdo. Qeverisë së re i del si detyrë organizimi në forma të reja e moderne i policisë, për të pasur më efikasitet në luftën kundër krimit të organizuar e për t’i dhënë fund këtij spektakli makabër. Qeveria duhet të shohë me kujdes e të analizojë nga afër të gjithë kuadrot drejtues që udhëheqin policinë aktuale duke organizuar konkurset përkatëse, si edhe duhet parë edhe shpërblimi material, i cili deri sot lë shumë për të dëshiruar. Mbrojtja e individit në një shtet demokratik paguhet!