Glover: Procesi u shoqërua me probleme
TIRANE - Shefja e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover, ka deklaruar dje se ishte për të ardhur keq, që niveli i lartë i mosbesimit mes partive, presioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, nuk e rritën cilësinë e zgjedhjeve. Ajo ka siguruar se numërimi i votave do zgjasë edhe për disa ditë të tjera dhe ky proces, sipas saj, do ndiqet nga vëzhguesit e ODIHR-it, që do jenë në terren.
Sipas saj, një peshë të madhe në vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve do ta ketë edhe faza që ka mbetur, pra administrimi i procesit të numërimit të votave. "Për këtë arsye, ekipi ynë do qëndrojë këtu për ta vëzhguar procesin dhe për të parë si do ecë puna me ankesat, derisa procesi të përfundojë Ne do nxjerrim një raport të plotë rreth 8 javë pas përfundimit të procesit, ku do përfshihen edhe rekomandimet për përmirësime.
KQZ-ja i administroi detyrat me profesionalizëm dhe brenda afateve ligjore, por anëtarët ishin të ndarë në disa nga çështjet e debatueshme dhe votuan sipas bindjeve politike. Kishte shkëputje mes punës së KQZ-së në Tirane dhe asaj çfarë ndodhi në qarqe. Për më tepër, partitë nuk emëruan brenda afateve ligjore komisionerët",- tha Glover.
Ajo hodhi poshtë çdo hije dyshimi për anësinë e këtij misioni në vendin tonë, referuar kritikave që përcolli qeveria lidhur me qëndrimin që ajo ka mbajtur mbi zgjedhjet e vitit 1996. "Ne kemi funksionuar në një mënyrë të paanshme, si të gjitha misionet e ODIHR-it",-pohoi ajo.