“Go West” Lirohet nga salla e gjyqit Voltan Turtulli
I përfundojnë afatet e paraburgimit, togat e zeza të Apelit për Krime të Rënda vendosën dje lirimin nga salla e gjyqit të të pandehurit Voltan Turtulli, i cili u çlirua gjatë gjykimit në Shkallën e Parë nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal”. Ky shtetas akuzohet se së bashku me Nikolin Cakon, gruan e tij dhe disa të pandehur të tjerë nëpërmjet falsifikimeve kanë ndihmuar kalimin e mjaft shtetasve me viza drejt SHBA-së dhe shteteve të tjera të BE-së. Gjatë një operacioni të policisë së kryeqytetit, u zbulua baza ku përgatiteshin këto dokumente, si dhe pjesëtarët e rrjetit që mundësonte jo vetëm gjetjen e personave, por edhe kalimin. Në grup bënin pjesë edhe disa oficerë policie apo kontrollorë në Rinas, të cilët tashmë janë si të pandehur në proces. Gjykata e Shkallës së Parë i shpalli fajtorë dhe dënoi këta shtetas me burg dhe gjobë. Masat e dënimit për të pandehurit e këtij grupi, Nikolin Cako, Edmond Bejko, Eljano Canko, Altin Flamuri, Përparim Kateshi, Valbona Cako, Selman Murati dhe Avdi Leka, të cilët për mjaft kohë arritën me mënyrat e tyre të bënin realitet ëndrrat e mjaft shqiptarëve për të shkuar në shtetet që dëshironin, kundrejt shumave që varionin nga 10 deri në 16 mijë euro, varionin nga 5 deri në 13 vjet, janë shoqëruar edhe me gjoba të rënda nga 8 deri në 10 milionë lekë të reja. Akuzat që rëndonin mbi të pandehurit, dy prej të cilëve ish-oficerë policie në Rinas, kishin të bënin me “grupim të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave kriminale nëpërmjet këtij grupimi”, “falsifikim dokumentesh”, “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm” e të tjera akuza, ndërkohë që për asnjë moment ata nuk i kanë pranuar ato, si gjatë momentit të hetimit, ashtu dhe në gjykimin e çështjes. Fillimisht u fol për një grupim të madh, por që gjatë hetimit u reduktua në 9 të pandehur, pasi pjesa më e madhe e të dyshuarve të implikuar në këtë aktivitetet kriminal, sipas akuzës, i kaluan për kompetencë gjykimi një gjykate të zakonshme, shumë prej të cilëve kanë fituar edhe pafajësinë.