E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët: Banesat e paqëndrueshme, duhet studimi gjeologjik



Ndërtime çdo kënd, kjo është panorama e përgjithshme në të gjithë vendin. Fenomeni i ndërtesave dhe ngjarja e ndodhur vetëm para dy ditësh tek shumë qytetarë ngre pikëpyetjet se sa të sigurta janë ato. Duke marrë shkas edhe nga shembja e pallatit 5-katësh në qytetin e Gjirokastrës, flet për “standard” Sokol Marku, inxh. gjeolog në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Gjeologjik, i cili shpjegon se cilat janë parametrat që një ndërtesë të quhet e sigurt dhe sa zbatohet realisht ajo në praktikën e punës.

“Gjeologët kanë bërë një hartë rreziku. Normalisht, kryhen ndërtime në zona jo të studiuara, kjo do të thotë që ai terren mund të jenë jo i sigurt dhe ndërtesa e bërë në të mund të rezultojë fatale, pasi mund të shembet, pasi toka është e paqëndrueshme. Për këtë është e domosdoshme kryerja e studimeve nga gjeologët”, - shprehet Marku.

A duhet të kryhen në çdo lloj ndërtese studimet gjeologe inxhinierike?

Duhet të ketë studime gjeologe-inxhinierike në çdo lloj ndërtimi. Është e domosdoshme që të ketë në oponencë edhe mendim të një gjeologu gjatë momentit të ndërtimit të një pallati për të përcaktuar edhe jetëgjatësinë e tij. Për studime të tilla mund të na kontaktojnë edhe subjektet private, pasi ne kemi kryer studime si te subjektet private, ashtu edhe shtetërore. Gjithashtu, kemi bërë edhe studime në lidhje me ngjarje që kanë ndodhur, pasi ka pasur rrëshqitje dheu e gjëra të tilla. Në vendin tonë ka rrezik rrëshqitjeje, që vjen si rezultat i shpyllëzimeve, si rezultat i ngritjeve të tarracave dhe shfrytëzimit të tyre. Pra këto arsye kanë bërë që një pjesë e mirë e territorit të Shqipërisë të jetë nën rrezikun e rrëshqitjeve. Nga studimet e bëra para viteve ‘90 janë përcaktuar zonat që kanë qenë të rrezikshme për ndërtime. Të paktën nga të dhënat rezulton se pjesa e Varrezave të Dëshmorëve është e përbërë nga argjila mormolinite, të cilat kanë një aftësi të tillë, që kur ngopen me ujë, fillojnë e rrëshqasin. Prandaj, në këto lloj argjilash është e palejueshme që të ndërtohet, këtu lejohet që të ndërtohet vetëm kur të hapet themeli dhe të kapësh shkëmbin rrënjësor, i cili nuk lëviz, vetëm atëherë mund të ndërtohet. Problemi është që të gjitha ato ndërtime që janë bërë poshtë Varrezave të Dëshmorëve apo në Sauk, sa të qëndrueshme janë?

Vetëm në Tiranë ka zona të tilla apo ky fenomen është i përhapur edhe në qytete të tjera?

Në të gjithë Shqipërinë ka zona të tilla që përbëjnë rrezik. Ne kemi bërë një hartë rreziku gjeologjik. Ndërkohë që në popullsi dhe në vendimmarrje politike ka ecur gjithmonë parimi që gjeologët duhet të ekzistojnë vetëm në momentin që kemi miniera, kur nuk kemi, ne dalim të panevojshëm. Të gjitha digat e hidrocentralet që janë ndërtuar në Shqipëri, janë ndërtuar pasi kanë kaluar studimin gjeolog-inxhienirik nga gjeologët. Te të gjitha trasetë e rrugëve dhe hekurudhave, ndërtimet e qyteteve janë bërë studimet dhe më pas janë ndërtuar. Është i rëndësishëm gjeologu sot për këtë gjë. Prandaj në të gjitha vendet e botës shihet gjeologjia si profesion që ka të bëjë direkt me sigurinë e jetës së njerëzve.

Çfarë shkakton mungesa e mendimit të gjeologëve?

Normalisht duhet të kryhen ndërtime në zona jo të studiuara. Kjo do të thotë që ai terren mund të jetë jo i sigurt dhe ndërtesa e bërë në të mund të rezultojë fatale pasi mund të shembet. Toka rezulton e paqëndrueshme. P.sh. ka disa lloj formacionesh ranore shumë të imëta, sidomos në zonat e ish-Kënetës të cilat kanë një karakteristikë, që nga një formacion i qëndrueshëm kthehen në një formacion të përzier me ujë që bëhen qull dhe pallatet bëhen të paqëndrueshme. Ne mendojmë që është shumë e domosdoshme që të ketë një gjeolog, pasi që në momentin që ne dalim në rrugë, ecim dhe banojmë mbi tokë, atëherë duhet të jetë ky person në institucione të posaçme. Nëse nuk pyeten gjeologët, do të shkojmë gjithmonë e më shumë drejt pasigurisë së terreneve ku po ndërtohen banesat.

Cila është arsyeja që vazhdon të mungojnë studimet gjeologjike?

Nuk ekziston si traditë. Pushteti lokal na kërkon ne vetëm kur ndodhin probleme, si rrëshqitje dhe shembje. E rëndësishme është që gjërat të parashikohen, të parandalohen. Ne jemi “mjekë” të tokës, që gjejmë sëmundjet dhe marrim përsipër t’i shpjegojmë arsyet që përse kjo tokë nuk është e këshillueshme që të ndërtohet. I vetmi qytet që ka studim gjeologjik është Elbasani. Në këtë mënyrë qytetarët e këtij qyteti janë të informuar deri diku mbi zonat me rrezikshmëri të lartë shembjeje. Por edhe ky informacion nuk duhet t’u mjaftojë pasi çdo ndërtues duhet të marrë gjeologun dhe të studiohet konkretisht dhe më hollësisht në terrenin ku do të kryhen ndërtimet.

Gjeologët përcaktojnë çfarë formacionesh gjenden në atë tokë, çfarë përmbajtjeje ka, si mund të largohen ujërat nëntokësore. Në qoftë se ne e shohim të rrezikshme, ne e lajmërojmë se këtu është e rrezikshme dhe duhen marrë këto masa mënjanuese të rrezikut. Pasi i bëjmë një raport të detajuar, i thuhet në mund të ndërtohet apo jo në atë zonë.

Ky institucion a bën studime në territore të ndryshme të vendit?

Ne jemi në krijimin e plansheteve 1-25 mijë që do të mbulojnë të gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi një seri hartash të cilat mund të shërbejnë për një vështrim të parë të problemit gjeologjik. Por gjithashtu, kemi punuar edhe me planshete 1-10 mijë të cilat u shërbejnë komunave të ndërtimeve dhe të zgjerimeve. Nga ana jonë, në bazë të një tematike ku mendojmë se janë problemet, ne bëjmë studime. Por ama është e nevojshme që të thërriten gjeologët edhe për probleme që ka gjithsecili.

A ka kërkesa nga sipërmarrësit e ndërtimeve që përpara se të kryejnë një ndërtesë, gjeologët të studiojnë terrenin? A ka interes nga ana e tyre?

Nuk mund të jap një përqindje se sa drejtohen tek ne dhe sa jo. Por të jeni të sigurt që pjesa më e madhe e tyre kanë marrë gjeologun dhe kanë bërë një studim gjeologjik, pasi këtë e kërkon edhe ligji. Çështja është që sa i sigurt është studimi gjeologjik? Studime të tilla kryhen edhe nga gjeologët privatë, duke qenë se ata janë të pajisur me licencë. Është jashtëzakonisht e rregullt që gjeologët të kryejnë studime gjeologjike private, por ama në pjesën më të madhe studimet kryhen përciptazi, nisur nga eksperiencat e tyre të mëparshme dhe nuk është se kryejnë studimin me anë të matjeve apo gjerave të tilla. Është e domosdoshme që për veprat e mëdha të merret licenca, që për ndërtesat e mëdha të kryhen studimet nga shërbimi ynë dhe të thuhet në duhet ndërtuar apo jo ndërtimi, sepse mund të sjellë shembjen e këtij ndërtimi, por edhe të atyre rrotull.

Nga pikëpamja gjeologjike, sa të sigurta janë ndërtesat e ndërtuara pas viteve ‘90?

Ne bëjmë studime në lidhje me këtë çështje, por ama është edhe një tjetër fenomen që ndodh që territori në të cilin po ndërtohet të jetë i sigurt, ndërkohë që cilësia e betonit në të cilin është ndërtuar, të mos jetë brenda parametrave. Duke qenë se nuk ka një bazë ligjore që të bëhet një kontroll në të gjithë Tiranën, nuk mund të themi me shifra dhe ta deklarojmë zyrtarisht që sa janë të qëndrueshme këto ndërtesa. Megjithatë, duke bërë sondazhe themi që janë shumë problematike.

Gjeologët kërkojnë të vendosen tarifat për oponencë

Kërkohet që gjeologët kërkojnë që të bëjnë certifikimin për studimin që kryen një gjeolog privat. Atëherë i duhet bërë një kontroll studimit që i është bërë. Në këtë pikë ne themi nëse është i saktë studimi, pasi dihet që edhe studimi i personit që kryen gjeologu privat është me tendencë dhe deri diku mund të bëjë lëshime.

“Prandaj ne kërkojmë që të miratohen në qeveri tarifat në mënyrë që të bëjmë oponencë”, - shprehet inxh. gjeologe Enkelejda Grazhdani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›