E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet drejtuesi i stafit elektoral i kandidatit të pavarur

SHKRUAN: Djana Kolaj 03-05-2011 10:49

SHKODËR- Plagoset drejtuesi i stafit elektoral të kandidatit të pavarur për komunën e Dajçit në Shkodër, ndërsa autorët pasi kapen nga policia lirohen për t’u hetuar në gjendje të lirë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23:20 të së dielës, ku Broz Pjetrani 43 vjeç, banues në fshatin Samërisht, është goditur nga dy persona. Sipas rrëfimit të vetë Pjetranit, por dhe personave që kanë qenë me të, të dielën ai ka udhëtuar në Rinas me mjetin e tij, për të marrë disa familjarë që vinin nga jashtë. Gjatë rrugës për në banesë, te vendi i quajtur kryqëzimi i Dajçit, në fshatin Mushan, tre mjete me posterat e kandidatit të PD për kryetar komune dhe kryetarit aktual, Arben Gjuraj, i kanë bllokuar rrugën. Dy persona e kanë nxjerrë me zor nga mjeti Pjetranin dhe e kanë goditur në kokë e trup dhe më pas janë larguar. Kushërirat e tij, që ndodheshin në mjet, kanë telefonuar të afërmit. Ndërkohë një kushëri tjetër i Pjetranit, i cili kishte qenë me të në Rinas, ka qenë me mjetin e tij disa metra më pas, është ndaluar dhe i ka dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit duke e dërguar në spitalin e Shkodrës. Broz Pjetrani, biznesmen, ka marrë dëmtime në kokë, fytyrë, gjakosje, si dhe në trup dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor.

Pas disa orësh, pasi dhe polica erdhi në spital për të marrë dëshminë përkatëse, ai është larguar në banesë. Sipas stafit të shtabit elektoral të kandidatit të pavarur për kryetar të komunës Dajç, Gentian Palaj, goditja e Pjetranit ka qenë e qëllimshme dhe për faktin se ai drejton fushatën e Palajt. Sipas policisë, personat që e kanë goditur janë identifikuar si Duel F. Mehmetaj, vjeç 22 dhe Shefki E. Mehmetaj vjeç 20, të dy këta banues në fshatin Mushan, Komuna Dajç, Shkodër, e kanë kryer veprimin për motive të dobëta dhe me miratim të prokurorisë, ndiqen në gjendje të lirë. Por ky incident, ndonëse më i rëndi, nuk është i vetmi në komunën e Dajçit në rrethin e Shkodrës. Në këtë komunë kandidojnë kryetari aktual Arben Gjuraj për PD, Hilë Tarja i PS dhe kandidati i pavarur, Gentian Palaj. Në një deklaratë të stafit të kandidatit të pavarur, theksohet se duke parë reputacionin e popullaritetin që Palaj gëzon në Dajç, dhe mundësinë e madhe që ai të fitojë në zgjedhjet e 8 majit, presionet mbi ato që e përkrahin haptas nuk kanë munguar dhe kjo nga kryetari aktual Gjuraj dhe stafi i tij. Të shtunën, Palaj ka zhvilluar një miting elektoral në Dajç, në një fushë sporti private ku ka pasur një numër të madh pjesëmarrësish. Kjo i ka trembur seriozisht Arben Gjurajn dhe PD, që duke parë mundësinë e humbjes kanë shtuar presionet psikologjike dhe të çdo lloj forme mbi përkrahësit e Palajt.

Zoti Pjetrani, si ndodhi incidenti?

Kam qenë duke u kthyer nga Rinasi me disa familjarë të mi. Në Mushan më kanë prerë rrugën tre makina me postera të Arben Gjurajt. Më kanë nxjerrë nga makina me forcë dhe më kanë goditur me shpejtësi, duke më hedhur në kanal, me grushte e shqelma. Kjo zgjati disa sekonda dhe u larguan. U mbulova më gjak dhe më dhanë ndihmë të afërmit që ishin në makinë, dhe ato që udhëtonin nga pas.

Cili ka qenë motivi ?

As unë, as familja ime, nuk kemi konflikte me njeri. Gjithçka lidhet me mbështetjen që unë i kam dhënë që në fillim kandidatit të pavarur Gentian Palaj, i cili meriton të jetë në krye të komunës Unë kam dalë hapur, drejtoj shtabin elektoral të tij. Me Arben Gjurajn dhe njerëzit e tij nuk kam pasur konflikt ndonjëherë.

Para katër vitesh, ju ishit kandidat i pavarur, përballë Gjurajt i cili fitoi. Mund të ketë lidhje kjo me atë që ndodhi?

Edhe para katër vitesh ka pasur presione, por vetëm verbale dhe psikologjike dhe nuk ka pasur asnjë incident apo dhunë. Kam marrë rreth 700 vota, kundrejt rreth 1200 të Gjurajt dhe pavarësisht kontestimeve të mia, lidhur me procesin dhe fushatën, gjithçka mbaroi sapo u mor vesh rezultati.. Nuk kam pasur ndonjëherë konflikt me të, pasi kam parë punën time. Kur Genti më tha se do kandidonte si i pavarur, pasi PD nuk e kishte kandiduar, u vura në krah të tij duke shpresuar se situata do ishte në përmirësim. Nuk e dija se demokracia, për ardhjen e së cilës unë kam kontribuar, dhe banorët e Dajçit e dinë mirë, do më ndëshkonte kështu.

Goditja juaj erdhi pas mitingut të Palajt, shihni ndonjë lidhje?

Po, sepse në miting u pa qartë mbështetja për Gentianin, megjithëse unë nuk është se fyeva apo fola për Gjurajn. Unë thjesht bëra apel për të votuar Gentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›