E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, kërcënohet familja e Arian Çanit

Familjarët e gazetarit të njohur, Arian Çani kanë marrë një telefonatë kërcënuese, gjatë kohës që ai ndodhej në emisionin “Shqip”, duke komentuar shpërthimin pranë çadrës elektorale të PS. Pasi u informua për kërcënimin, Çani u largua nga emisioni drejt banesës së tij, e pas denoncimit të ngjarjes në polici, vetë ai ka sqaruar për mediat rrethanat e kësaj ngjarjeje. “Unë isha në emision dhe ndërsa po flisja, mora një mesazh në celular. Më thanë se familjen time e kishin marrë në telefon dhe u kishin thënë do t`ju vendosim bombë në shtëpi, për ato që po thotë djali juaj në ekran” - deklaroi gazetari Arian Çani. Ai shtoi se në banesën e tij mbërritën menjëherë forca të shumta policie, të cilat bënë të mundur sigurimin e gjithë zonës dhe kontrollimin e saj. Deri më tani, ende nuk dihen personat të cilët kanë bërë telefonatën kërcënuese, në drejtim të familjes së gazetarit Arian Çani. Në emisionin “Shqip”, të gazetares Rudina Xhunga, Çani replikoi me deputetin e Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, pas akuzave të menjëhershme të këtij të fundit, që e lidhnin shpërthimin me kryeministrin Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›