Ekzekutohet me dy plumba vëllai biznesmen i deputetit të PS
LAÇ- Një breshëri automatiku ka prishur qetësinë e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Laçit, ndërsa viktimë ka mbetur 42-vjeçari Projet Abazi, vëllai i deputetit të PS-së për qarkun e Dibrës, Sadri Abazi. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30 të mbrëmjes së djeshme, kur babai i dy fëmijëve është qëlluar për vdekje nga persona ende të paidentifikuar. Po kështu, burimet policore pohuan se vrasja nuk ka motive politike, pavarësisht lidhjes familjare të viktimës me deputetin e PS në ketë qytet. Policia është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes. 42-vjeçari Abazi ishte biznesmen në Tiranë. Policia ka ngritur postblloqe dhe vazhdon të kërkojë autorët e krimit. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një sherri të çastit.
Dëshmitë
Sipas dëshmitarëve okularë, personi që e ka qëlluar ka qenë i fshehur në errësirë, në afërsi të stacionit të furgonave që lëvizin për Tiranë, ndërsa Projet Abazi ka qenë pranë makinës së tij në këmbë, i pashoqëruar nga asnjë njeri. Dëshmitarët okularë shprehen se personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me breshëri automatike mbi 42-vjeçarin Abazi, ndërsa dy plumba kanë arritur të qëllojnë mbi trupin e tij duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, të dy plumbat e kanë qëlluar në kokë të Abazit dhe për pasojë ai ka mbetur i vdekur në vend. Ndërsa personi që ka qëlluar mbi të, ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira. Në momentin e vrasjes së Abazit, lokalet në afërsi të vendit të ngjarjes kanë qenë të mbushur me njerëz, por fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur njeri tjetër.
Hetimi
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Ndërkohë që janë shoqëruar në polici 30 persona, ende nuk dihet nëse mes tyre është autori i krimit apo jo. Personat e shoqëruar kanë qenë në lokalet që ndodheshin ngjitur me trotuarin ku mbeti i vrarë Abazi. Mësohet nga policia se Abazi ka qenë edhe një natë më parë në Laç, ku ka luajtur në një kazino dhe ka fituar një shumë të konsiderueshme parash. Ndërsa mendohet se është kthyer sërish për të luajtur në kazino, por persona të paidentifikuar kanë qëlluar mbi të. Një tjetër pistë mendohet edhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur viktima. Projet Abazi është babai i dy fëmijëve, biznesmen dhe prej kohësh banon me familjen në kryeqytet. Trupi pa jetë i tij ndodhet në morgun e spitalit të Laçit, ndërsa pritet për t’u marrë nga të afërmit. Deputeti Sadri Abazi është deputet i Partisë Socialiste prej dy legjislaturash. Ai vjen nga fusha e biznesit dhe është pronar i fabrikës “Uslluka”.