Goditet grupi i drogës në Kavajë, shisnin kokainë dhe kanabis në shkolla, 13 të arrestuar

Një grup i madh i trafikut të drogës është goditur nga Policia e Durrësit gjatë 24 orëve të fundit. Në operacionin që nisi një ditë më parë, morën pjesë dhjetëra forca policore, dhe të paktën 15 persona janë identifikuar nga të cilët 13 prej tyre janë arrestuar, 1 u vendos nën akuzë dhe 1 tjetër u shpall në kërkim.
Të arrestuarit shisnin doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të Kavajës, afër shkollave.
Në kuadër të këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 80 doza kokaine, 620 doza kanabisi, 2 peshore elektronike, pajisje për presimin e lëndëve narkotikëve dhe ndarjen e tyre në doza, shuma parash në euro dhe lekë.
Gjithashtu, u sekuestruan edhe 3 silenciatorë, 1 jelek antiplumb dhe pajisje për modifikimin e armëve, që u gjetën në një ambient në Kavajë i cili ishte përshtatur për modifikimin e armëve.
Ndërkohë policia po verifikon nëse armët e gjetura janë përdorur ose jo në ngjarje kriminale.