Goditet grupi kriminal që shpërndante kanabis, 5 të arrestuar

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Një grup kriminal i cili që prej vitit 2019 shiste kanabis është goditur nga policia, duke vënë në pranga 5 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit “Tentakulat”, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe të Dibrës si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ekzekutoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasit: D. U., 45 vjeç; A. G. alias A. G., 47 vjeç; M. Gj., 56 vjeç; Y. T. alias Y. H., 51 vjeç dhe R. D., 30 vjeç.
Gjithashtu, policia njoftoi se në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. D. alias A. D., 51 vjeç, A. D., 48 vjeç, N. G., 35 vjeç, E. T., 24 vjeç dhe I. P., 34 vjeç.
Sipas policisë, këta shtetas akuzohen se të organizuar si grup, që nga viti 2019, kanë siguruar lëndë narkotike Cannabis Sativa, nga zona të ndryshme në Krujë dhe Dibër, dhe më pas e kanë shitur në lokale, në Tiranë, dhe e kanë trafikuar në Kosovë.
Policia bëri të ditur se nga hetimet dyshohet se 10 shtetasit janë bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre veprave penale, me 11 shtetas të identifikuar nga Policia e Gjirokastrës, gjatë operacionit policor të koduar “Crossborder line”, në muajin nëntor 2024.
Policia njoftoi se po punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë pjesëtarëve të grupit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /j.p/