Rama ndan historinë e të resë e kthyer nga Holanda: Vlora ka shumë mundësi punësimi me turizëm gjithnjë e në rritje

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Iliana Çekrezi, një e re nga Vlora, është rikthyer në vendlindje, pas studimeve në Holandë për të ndërtuar biznesin e saj në fushën e turizmit në zonën e Zvërnecit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale historinë e së resë e cila tha se kthimi në vendlindje ishte vendimi i duhur pasi biznesi po i ecën mjaft mirë.
“Iliana Çekrezi pasi përfundoi studimet në Holandë në degën biznes, e kishte të gjithë perspektivën e hapur për të punuar e jetuar atje, por vendosi të kthehej në Shqipëri, në Vlorë dhe të punonte në sipërmarrjen e turizmit që kishte ngritur familja e saj, beach-bar-restaurant “Mysa” në Zvërnec. Për Ilianën kthimi në vendlindje ishte vendimi i duhur pasi biznesi po ecën mjaft mirë dhe Vlora ka shumë mundësi punësimi me një turizëm gjithnjë e në rritje, falë edhe aeroportit të ri që po ndërtohet”, shkruan Rama.
Vetë Iliana Çekrezi tha se sezonin e kaluar biznesi i sapohapur i kaloi pritshmëritë dhe se ka pritshmëri të larta për sezonin e ardhshëm.
“Studimet i kam mbaruar për biznes në Holandë. Në vitin 2024 fola me prindërit se çfarë do të bëja, do të rrija në Holandë apo do të kthehesha në Shqipëri. U ktheva dhe u fokusova në industrinë e turizmit, duke qenë se ne kemi një pronë në zonën e Zvërnecit dhe kjo me kalimin e kohës u ndërtua në një biznes që është beach-bar dhe restorant”, tha ajo.
“Vlora ka shumë mundësi duke marrë parasysh aeroportin e Vlorës që është në ndërtim e sipër gjithashtu dhe Vlora Marina. Sezoni i shkuar i kaloi pritshmëritë e një biznesi të sapohapur. Duke parë përshtypjet e turistëve tanë që na kanë vizituar mund të them me shumë bindja që Vlora ka një pritshmëri të lartë për sezonin që do të vijë”, u shpreh Çekrezi. /j.p/